Macron paralajmëron për një nivel të ri agresioni të Rusisë në Europë

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka ngritur alarmin për një nivel të ri agresioni rus në Europë, pas një serie incidentesh serioze të regjistruara në disa vende gjatë ditëve të fundit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Macron theksoi se aleatët dhe partnerët europianë janë përballur sërish me ngjarje që dëshmojnë përshkallëzimin e veprimeve të Moskës përtej kufijve të Ukrainës.

Macron dënoi veprimet e Rusisë, duke paralajmëruar se intensifikimi i luftës kundër Ukrainës dhe ndjekja e një axhende agresive në territorin europian përbëjnë një rrezik të papërgjegjshëm për sigurinë e kontinentit.

Shqetësimet janë shtuar pas raportimeve për shkelje të hapësirës ajrore, tentativa të dyshuara sabotimi dhe kërcënime ndaj individëve të lidhur me Ukrainën.

Një nga incidentet më serioze u regjistrua në Poloni, ku autoritetet njoftuan për rrëzimin e dy raketave ruse dhe një droni me motor reaktiv në territorin polak. Ngjarja nxiti reagime të menjëhershme nga aleatët e NATO-s dhe rriti vigjilencën në krahun lindor të Aleancës.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilloi një vizitë në Varshavë, në një moment kur siguria e Polonisë dhe e vendeve të tjera të rajonit mbetet në fokus të aleatëve.

Edhe Estonia ka ndërmarrë masa parandaluese, duke njoftuar pezullimin e kalimeve rrugore me Rusinë, me synimin për të shmangur incidente të tjera në kufi.

Paralelisht me zhvillimet në Europë, Rusia ka vijuar sulmet masive ndaj Ukrainës.

Mes objekteve të dëmtuara janë edhe ura me rëndësi strategjike mbi lumin Dnieper, të cilat kanë rol kyç për transportin dhe funksionimin e infrastrukturës ukrainase.

Përballë kësaj situate, Macron u shpreh në solidaritet me vendet e prekura, duke theksuar se veprimet e Moskës rrezikojnë ta izolojnë edhe më tej Rusinë, ndërsa mund të forcojnë vendosmërinë dhe unitetin e europianëve.

Të ngjashme