“Sterilizimi nga mosha 18-vjeçare”, Rrahmani me video i kundërpërgjigjet Kurtit dhe Haxhiut

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga Grupi Parlamentar i PDK- së, Eman Rrahmani, ka reaguar përsëri në lidhje me Projektligjin për fertilizim, i cili u diskutua në seancën e 19 nëntorit në Kuvendin e Kosovës.

Rrahmani ka publikuar një video në Facebook nga ajo seancë parlamentare, duke kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Sterilizimi i vajzave që nga mosha 18-vjeçare! Kur kryeministri dhe kryeparlamentarja mashtrojnë publikisht!”, ka shkruar Rrahmani, derisa reagimit të tij ia ka bashkëngjitur video me deklarimet në atë seancë.

Në videon e publikuar janë deklaratat e Kurtit dhe Haxhiut, të cilët i kanë cilësuar si të pavërteta pretendimet e Rrahmanit lidhur me sterilizimin e grave nga mosha 18-vjeçare.

“Akuzat, pretendimet kundër nesh për këtë çështje nuk janë të vërteta. Ne dëshirojmë që gratë, të cilat dëshirojën të bëhen nëna, ta kenë këtë të drejtë”, ishin fjalët e Kurtit.

Në anën tjetër, Rrahmani ka publikuar edhe pamje nga Projektligji, i cili u është dorëzuar deputetëve nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke pretenduar se përmbajtja e tij dëshmon atë që ai kishte deklaruar më herët.

“Çdo grua mbi 18 vjeç ka të drejtën e sterilizimit pa lejen e Komisionit për vlerësim mjekësor në institucionin shëndetësor përkatës”, thuhet në pamjet e publikuara nga deputeti.

Të ngjashme