Qeveria mban mbledhje elektronike, Luan Dalipi emërohet drejtor i Agjencisë për Investime dhe Eksporte

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që lidhen me administratën publike, arsimin, sigurinë dhe institucionet shtetërore.

Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe emërimi i Luan Dalipit në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksporte.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën për dhënien me qira të hapësirave dhe zyrave që gjenden në kuadër të Terminalit Doganor në Han të Elezit. Këto hapësira, të cilat ndodhen në parcelën kadastrale në Han të Elezit, do të jepen me qira për një periudhë prej 36 muajsh, sipas kërkesës së Doganës së Kosovës.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Një tjetër vendim ka të bëjë me miratimin në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja synon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar ndërmjet dy shteteve.

Ndërkaq, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për tjetërsimin dhe shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit në këtë ministri.

Vendimet janë miratuar në kuadër të mbledhjes elektronike të Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme