Osmani: Raportet Kosovë-Shqipëri nuk duhet të mbahen nga individët, lidhja jonë nuk mund të zbehet

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 20:33 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të varen nga individët apo udhëheqësit e institucioneve, pasi sipas saj, ato janë të rrënjosura thellë në historinë, gjuhën dhe përkatësinë e përbashkët kombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka theksuar se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy shteteve duhet të zbatohen, por ka shtuar se lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbahet mbi të gjitha nga njerëzit dhe shqiptarët kudo që jetojnë.

“Raportet Kosovë-Shqipëri asnjëherë nuk do të duhet të mbahen nga individët apo nga udhëheqësit e institucioneve, sepse ato janë shumë thellë të rrënjosura në historinë tonë të përbashkët, në gjuhën tonë të përbashkët, në faktin që jemi vëllezër e motra të të njëjtit komb. Dhe besoj që një sërë marrëveshjesh të cilat janë nënshkruar përgjatë viteve është e domosdoshme të zbatohen, por përtej kësaj, lidhjen e fortë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjithmonë e mbajnë njerëzit, e mbajnë shqiptarët, pavarësisht nga jetojnë ata në Kosovë, në Shqipëri apo kudo që janë, përfshirë edhe mërgatën tonë, dhe kjo lidhje nuk mund të zbehet pavarësisht ndonjë mosmarrëveshjeje që mund të lindë herë-herë, dhe ato që janë politikat e ditës nuk besoj asnjëherë që mund ta dëmtojnë, siç e thashë, ato që janë rrënjët tona të thella, rrënjët tona të përbashkëta, rrënjët tona shqiptare”, ka deklaruar Osmani.

E pyetur nëse gjatë festës së 28 Nëntorit kishte pasur mundësi të festonte me kryeministrin Albin Kurti, pas disa momenteve të përbashkëta që ishin vërejtur në ceremoninë e marrjes së detyrës së presidentes, Osmani ka thënë se tavolinat e tyre kishin qenë larg njëra-tjetrës.

Megjithatë, ajo ka theksuar se festa kombëtare i bashkon shqiptarët, pavarësisht dallimeve politike apo partiake.

“Ishim larg, i kishim tavolinat, po natyrisht ne i kemi gëzuar gjithmonë për të gjithë krerët e institucioneve dhe për të gjithë përfaqësuesit që ishin sonte këtu dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, sepse kjo është një festë që na bashkon, pavarësisht ndonjë dallimi politik apo partiak që kemi. Festa e flamurit, festa kombëtare e Shqipërisë i bashkon shqiptarët sepse vlerat që ajo përfaqëson janë të mishëruara jo vetëm në histori, por edhe në të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ish-presidentja Osmani.

Të ngjashme