Seanca “Capat- Sekiraqët”, sot dalin përgjime të reja të Robert Llumnicës

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Ka nisur seanca e radhës në rastin gjyqësor “Capat dhe Sekiraqët”, në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sot do të dëgjohen përgjime të tjera të Robert Llumnicës, e poashtu do të dëshmojë sërish eksperi i balistikës. Në seancën e fundit, debati për dëgjimin dhe publikimin e përgjimeve u tensionua, ndërsa i akuzuari Salih Sekiraqa kërkoi që të gjitha komunikimet të bëheshin publike, shkruan IndeksOnline.

Rasti i njohur si “Capat dhe Sekiraqët” lidhet me përplasjen e armatosur të 1 shtatorit 2024, në lokalin “From”, në lagjen “Aktash” të Prishtinës, ku mbeti i vrarë Premtim Gashi, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, përplasja dyshohet se ishte vazhdimësi e një konflikti të mëhershëm ndërmjet familjeve Gashi dhe Sekiraqa, i cili kishte nisur të përshkallëzohej pas një incidenti të 4 marsit 2024, shkruan indeksonline.

Në këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku.

Të akuzuarit ngarkohen me vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasjen e rëndë, vrasjen e rëndë në tentativë, armëmbajtjen pa leje dhe manipulimin me prova. Dy të akuzuarit, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, po gjykohen në mungesë, pasi ndodhen në arrati.

Ndërkohë, Vesel Bunjaku e ka pranuar fajësinë për veprat që i ngarkoheshin në procedurë të veçuar dhe është dënuar me shtatë muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Të ngjashme