Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka nisur izolimin e shtëpisë gjashtë anëtarshëe në fshatin Xërxe të Rahovecit përmes projektit Green Energy Future, raporton Ekonomia Online.
“Për ta mbajtur shtëpinë ngrohtë gjatë dimrit, kjo familje gjashtëanëtarëshe përballet me shpenzime të larta të energjisë elektrike, edhe pse një pjesë e madhe e nxehtësisë humbet përmes çatisë së pa izoluar. Në fshatin Xërxe të Rahovecit, kjo familje përdor energjinë elektrike për ngrohje. Pavarësisht se muret janë të izoluara, nxehtësia humbet përmes çatisë, duke e bërë të vështirë dhe të kushtueshme mbajtjen e shtëpisë ngrohtë. Përmes projektit tonë Green Energy Future, izolimi i planifikuar i çatisë dhe strehëve të saj pritet të ulë nevojat për ngrohje deri në 65%”, thuhet në njoftim për media.
Sipas njoftimit, punimet po vazhdojnë për t’i bërë 189 shtëpi më efiçiente dhe të ngrohta deri në fund të këtij viti.
“Projekti Green Energy Future financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga UNDP, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë (ME) dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE)”, thuhet tutje në njoftim.