Rama nderon të burgosurit politikë në 30-vjetorin e themelimit të Shoqatës së të Burgosurve

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka nderuar ish-të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, duke vlerësuar lart qëndresën, sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.

Në këtë përvjetor, Rama theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe përcjelljes së vlerave të sakrificës dhe qëndresës te brezat e rinj.

“30 vjet nga themelimi i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, tri dekada kujtese për qëndresën dhe sakrificën e atyre që vuajtën për lirinë dhe dinjitetin e popullit tonë”, shkroi Rama në Facebook.

Ai vlerësoi se liria e sotme është e lidhur ngushtë me sakrificën e të gjithë atyre që përballuan burgosjen dhe vuajtjet për idealet e lirisë.

“Liria që gëzojmë sot mban gjurmët e sakrificës së tyre. Kujtimi për ta dhe vlerat për të cilat qëndruan duhet të mbeten të gjalla dhe t’i përcjellim te brezat që vijnë”, theksoi Rama.

Kryetari Rama nënvizoi se nderimi për të burgosurit politikë nuk është vetëm respekt për të kaluarën, por edhe përgjegjësi për të ardhmen, në mënyrë që historia, sakrifica dhe kontributi i tyre të mos harrohen kurrë.

Të ngjashme