Reshitaj përplaset me Vitinë për ikjen e mjekëve: 650 emigruan, 450 janë të papunë

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, janë përplasur në Kuvend lidhur me kushtet për punësimin e zhvillimin profesional të mjekëve të rinj dhe largimin e personelit shëndetësor nga Kosova.

Reshitaj, nga foltorja e Kuvendit, ka ngritur shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve të rinj, të cilëve iu bashkua në protestën e mbajtur para Ministrisë së Shëndetësisë.

 “Rreth 650 mjekë kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2021-2026. Rreth 450 mjekë janë të papunë, disa prej tyre presin për punësim më shumë se 3 vjet, ndërsa mbi 2 000 infermierë kanë emigruar brenda 4 vjetësh. Dhe kjo do të duhej të ishte alarmante”, ka thënë ajo.

Deputetja kërkoi hartimin e një plani vjetor të punësimit, hapjen e specializimeve në bazë të meritokracisë, pagesën e stazhit gjashtëmujor dhe njohjen e tij si përvojë pune, si dhe rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Reshitaj kritikoi edhe mungesën e politikave për mbajtjen e kuadrove shëndetësore në vend, duke theksuar se hapja e programeve të reja të mjekësisë duhet të paraprihet nga analiza të nevojave reale për personel shëndetësor.

Në përgjigjen e tij, ministri Arben Vitia e ka kritikuar përfshirjen e Reshitajt në protestë, duke thënë se ajo nuk ishte aty vetëm në cilësinë e profesoreshës, por edhe në atë politike.

“Vetë inkuadrimi i deputetes në protestën e studentëve, siç tha ajo, vetëm në cilësinë e profesoreshës nuk është, por është komplet politike, sepse, si ligjvënëse, ish dashtë mos me i mashtruar të gjithë këta mjekë”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka thënë se punësimi i mjekëve të përgjithshëm është kompetencë e komunave, duke shtuar se Qeveria ka ndarë edhe 300 numra shtesë për mjekë të përgjithshëm dhe mjekë familjarë.

“Ne e dimë se mjeket e përgjithshëm sipas ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës punësohen nga komunat, kjo qeveri para pak vitesh ka ndarë edhe 300 numra shtesë për mjek të përgjithshëm dhe mjek familjar neper komuna, dhe është komplet nën menaxhimin e komunave se si i ndajnë resurset njerëzor dhe çfarë kërkojnë, sepse me ligjin për vetëqeverisjen lokale e kanë këtë kompetencë. E dyta 450 mjek të papunë, po, një pjesë e tyre të sapo diplomuar, dhe siç jeni në dijeni tashmë është hapur konkursi për specializim për 353 vende të reja”, tha Vitia.

 Ministri ka kundërshtuar edhe kërkesat për specializime sipas dëshirave individuale të kandidatëve, duke thënë se shteti duhet të përcaktojë profilet për të cilat ka më shumë nevojë.

 “Po të ishte ashtu, të gjithë studentët që nuk janë pranuar në Fakultetin e Mjekësisë tash duhet të dalin në protesta pse nuk janë pranuar. Vetë procesi në shëndetësi, si në çdo vend tjetër, është një lloj seleksionimi, ku më të mirët vazhdojnë përpara në specializimet që ata meritojnë në raport me nevojat reale që ka shteti”, ka thënë Vitia.

 Ai ka mohuar gjithashtu pretendimet se i është shmangur takimeve me mjekët e rinj, duke thënë se nuk i ikën takimit me askënd dhe se në datën e caktuar për takim ishte mbajtur interpelanca ku ai duhej të raportonte.

Të ngjashme