Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Fushë Kosovë, pas një pune intensive hetimore, ka arritur të identifikojë dhe arrestoj pesë persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda.
Personat e arrestuar dyshohet se duke përdorur forcën dhe mjete të forta, dyshohet se kanë depërtuar në lokale afariste, “përfshirë fabrika dhe depo, ku kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare. Sipas deklarimeve të viktimave, vlera e dëmit të shkaktuar arrin rreth 200 mijë euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në kuadër të hetimeve, në bashkëpunim me Hetimet Rajonale dhe njësitë e specializuara të DPP-së, me urdhëresë të Gjykatës kompetente janë zbatuar masa të veçanta hetimore, si dhe sot është realizuar Plani Operativ “Vjedhjet e Rënda”, me ç’rast, me urdhëresë verbale të Gjykatës kompetente, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar, -një armë zjarri, telefona celularë si dhe prova materiale që ndërlidhen me rastet nën hetim.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që po kryhen veprimet e mëtejme hetimore dhe procedurale në koordinim me Prokurorinë kompetente.