Bajrami kritikon Qeverinë për subvencionet dhe grantet për bujqit: Ende të pakompensuara dëmet e vitit 2023

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për, siç thotë ajo, moskompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi dhe vonesat në ndarjen e granteve e subvencioneve për fermerët.

Përmes një postimi, Bajrami ka deklaruar se, sipas informacioneve nga bujqit, ende nuk janë kompensuar dëmet e shkaktuara gjatë vitit 2023, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për dëmet e shkaktuara nga breshëri gjatë kësaj vere, veçanërisht në komunën e Istogut.

Ajo ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për mosshpalljen e thirrjes për grante për vitin 2026, duke theksuar se data tashmë është 27 nëntor.

“Kur?”, ka pyetur Bajrami, duke kërkuar përgjegjësi për vonesat në mbështetjen e sektorit të bujqësisë.

Deputetja e LDK-së ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet ta paraqesë si ndihmë mbështetjen për fermerët, ndërkohë që, sipas saj, shumë prej tyre janë detyruar të marrin kredi në institucione mikrofinanciare me norma interesi deri në 22 për qind, për të vazhduar punën në bujqësi.

Bajrami ka pretenduar se buxheti është shpenzuar për qëllime zgjedhore, duke kritikuar ashpër menaxhimin e mjeteve publike dhe politikat e Qeverisë ndaj bujqve.

Në fund të reagimit të saj, ajo ka thënë se qytetarët tashmë po i kuptojnë, sipas saj, mashtrimet e Qeverisë dhe ka paralajmëruar se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë.

Të ngjashme