Pacolli rrëzon projektin e Ramës për Ulpianën, Pacolli publikon arsyet e refuzimit

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 20:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka refuzuar projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, të propozuar nga Komuna e Prishtinës, pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së tij.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se vendimi për refuzimin e projektit është nxjerrë zyrtarisht sot.

Sipas Pacollit, gjatë hartimit dhe miratimit të projektit janë shpërfillur bazat ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor që janë në fuqi në Komunën e Prishtinës.

“Pse u refuzua projekti?

Vendimi nuk mbështetet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe as në dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi të Komunës së Prishtinës.

Vendimi nuk ka bazë ligjore në dokumentet e planifikimit hapësinor të nivelit lokal në fuqi.

Destinimi është përcaktuar pa u dëshmuar se përputhet me shfrytëzimin e lejuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor të Prishtinës.

Parametrat urbanë janë caktuar përmes një vendimi për caktimin e lokacionit, ndonëse ata duhet të përcaktohen vetëm me dokumentet përkatëse të planifikimit hapësinor të komunës.

Shfrytëzueshmëria e parcelës, si dhe kushtet zhvillimore, ndërtimore e të lokacionit, duhet të jenë në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi, e jo të përcaktohen përmes vendimeve të veçanta.

Vendimi nuk mund të lejojë destinim apo shfrytëzim tjetër të parcelës nga ai që është përcaktuar në dokumentet tekstuale dhe grafike në fuqi të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Pacolli.

Të ngjashme