Murali i Nënë Terezës, Ministria e Ekonomisë: Nuk jemi kundër veprës artistike, por kundër ndërhyrjeve të paautorizuara

Prishtinë | 27 Nën 2026 | 21:42 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Ekonomisë ka reaguar lidhur me polemikat për vendosjen e muralit kushtuar Nënë Terezës në objektin e kësaj ministrie, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë veprime të paautorizuara në pronë shtetërore.

Në reagimin e saj, Ministria ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës kishte subvencionuar projektin, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike më 28 shtator 2026 kishte lëshuar pëlqim për realizimin e tij. Megjithatë, sipas Ministrisë, ky pëlqim është i kundërligjshëm dhe nuk është nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie.

Ministria pretendon se Komuna e Prishtinës nuk e kishte konsultuar dhe as njoftuar paraprakisht për ndërhyrjet në objekt, i cili, sipas saj, nuk është në pronësi dhe as nën menaxhimin e komunës.

Sipas kronologjisë së paraqitur nga Ministria, më 20 nëntor 2026, në orën 09:17, përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kishin ndërhyrë në objekt dhe kishin larguar banerin informues të Ministrisë. Kjo, sipas saj, ishte bërë pa vendosur masa mbrojtëse, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Ministria ka bërë të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, më 27 nëntor, rreth orës 06:00, përfaqësues të Komunës ishin paraqitur sërish me makineri ngritëse pranë objektit, me qëllim të vazhdimit të punimeve.

Pas njoftimit nga Ministria, Policia e Kosovës kishte ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe kishte ndaluar punimet.

Në reagim, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk është kundër realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por kundërshton mënyrën se si, sipas saj, Komuna ka ndërmarrë veprimet.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional”, thuhet në reagim.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor.

Po ashtu, u ka bërë thirrje mediave që gjatë raportimit për këtë çështje të bazohen në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur keqinterpretimet.

Ministria ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit publik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Të ngjashme