Hyrja në BE, Mali i Zi e plotëson një nga tetë kushtet e Kroacisë

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten raportin për përfundimin e negociatave me Kroacinë lidhur me dëmshpërblimin e shtetasve kroatë që ishin mbajtur në kampin e të burgosurve në Morinj.

Kjo është një nga kërkesat që Zagrebi i ka vendosur Podgoricës për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas marrëveshjes, dëmshpërblimi u takon shtetasve kroatë që nga 30 shtatori 1991 deri më 18 gusht 1992 ishin privuar me forcë nga liria ose ishin mbajtur dhe torturuar në kampet e territorit të Malit të Zi.

Kompensimi do të përfshijë edhe trashëgimtarët e personave vdekja e të cilëve mund të lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin në kamp. Qeveria malazeze nuk e ka bërë publike shumën zyrtare, por sipas burimeve të gazetës “Vijesti”, bëhet fjalë për rreth 18 milionë euro. Nga kjo shumë do të zbriten kompensimet që disa ish-të burgosur i kanë marrë më herët përmes vendimeve gjyqësore në Mal të Zi, transmeton GazetaExpress.

Shuma e dëmshpërblimit do të përcaktohet individualisht, ndërsa paratë do të transferohen në buxhetin shtetëror të Kroacisë. Lista e personave që përfitojnë nga marrëveshja do të jetë pjesë e protokollit të zbatimit.

Dëmshpërblimi për të burgosurit e Morinjit është njëra nga tetë çështjet e pazgjidhura që Kroacia kërkon t’i adresojë Mali i Zi përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me pronësinë e anijes shkollore “Jadran”, fatin e personave të zhdukur, ndjekjen penale të krimeve të luftës, kthimin e pronave dhe përcaktimin e kufirit.

Qeveria malazeze kishte marrë në tetor vendime për ruajtjen e pllakës përkujtimore në Morinj dhe ndryshimin e emrit të pishinës së qytetit në Kotor.

Ndërkohë, Kroacia kundërshton mbylljen e kapitullit 31, që lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, ndërsa javën e kaluar nuk dha pëlqimin as për mbylljen e kapitullit të energjetikës, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kufirit detar.

Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

Të ngjashme