Policet gra në Britani këshillohen të vishen në mënyrë modeste dhe të shmangin komunikimin me burrat myslimanë

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Oficeret femra të policisë në Britani janë këshilluar të marrin parasysh faktorët kulturorë gjatë komunikimit me burrat myslimanë, përfshirë edhe mënyrën e veshjes dhe ndërveprimin verbal e fizik.

Sipas Daily Mail, udhëzimet janë pjesë e një dokumenti zyrtar të publikuar nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë, i njohur si “paketa e besimeve fetare”, i cili synon t’u ofrojë policëve udhëzime për ndërveprimin me komunitetet e ndryshme fetare në Britani.

Sipas dokumentit, oficeret femra këshillohen të vishen në mënyrë modeste dhe në disa raste, të shmangin komunikimin me burrat në familjet myslimane dhe në xhami. Po ashtu, rekomandohet që në situata të caktuara ndërveprimi me një person mysliman të kryhet nga një zyrtar i së njëjtës gjini.

Udhëzimet theksojnë se faktorët kulturorë duhet të merren parasysh gjatë komunikimit mes personave të gjinive të kundërta, si në ndërveprimet fizike, ashtu edhe në komunikimin verbal.

Dokumenti gjithashtu këshillon policët të shmangin hyrjen në hapësirat e rezervuara vetëm për një gjini në familjet myslimane dhe të mos përdorin qen gjatë operacioneve në zona me popullsi myslimane.

Publikimi i këtyre udhëzimeve ka nxitur reagime politike. Kreu i Reform UK, Nigel Farage, i ka kritikuar ashpër rekomandimet, duke i cilësuar ato si “skandaloze” dhe si dëshmi të mëtejshme të asaj që ai e quan trajtim të pabarabartë institucional nga policia.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është fakti se pjesa e dokumentit që trajton Islamin është më e gjatë dhe më e detajuar sesa udhëzimet për 22 fetë e tjera të përfshira në të.

Nga ana e saj, NPCC ka bërë të ditur se dokumenti është hartuar për të ofruar udhëzime praktike dhe mbështetje për policinë në trajtimin e komuniteteve të ndryshme fetare në Britani.

Të ngjashme