Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen, person në “listën e zezë” amerikane, emër në listën e kërkimit të Interpol-it dhe person që Kosova kërkon ta ekstradojë. Që nga 17 nëntori, kur Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi fletarrestim për të, ai mund të konsiderohet edhe i arratisuri më i njohur nga drejtësia në Serbi.
Nën sytë e Qeverisë teknike të Serbisë, të kryeministrit në largim Gjuro Macut, dhe në mandatin teknik të ministrit të Brendshëm Ivica Daçiq, atij i humbet çdo gjurmë.
Kush është përgjegjës?
“Unë nuk e di nëse ai [Daçiqi] është në zinxhirin komandues të vendimmarrjes”, thotë Igor Bandoviq, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), në përgjigje të pyetjes nëse Ivica Daçiq mund të mbahet përgjegjës për zhdukjen e Millan Radoiçiqit.
“Ivica Daçiq, sipas disa informacioneve dhe të dhënave tona, absolutisht nuk është pyetur për vendosjen e policisë, as për vendimmarrjen në fazat kyç dhe marrjen e vendimeve në Polici. Pra, përgjegjësia e tij politike sigurisht që ekziston, por edhe përgjegjësia për mosveprim. Megjithatë, mendoj se këtu bëhet fjalë, dhe do ta përmend, siç është thënë edhe këtu, se në radhë të parë është udhëheqësja e Partisë Përparimtare Serbe, përkatësisht pushteti i mëparshëm, që ka vendosur për këto çështje që kanë të bëjnë me policinë”, thotë Bandoviq.
Daçiqi nuk është deklaruar për këtë ngjarje. Ai është lider i Partisë Socialiste të Serbisë, e cila nuk arriti të futej në Parlament në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Serbi më 25 tetor. Kjo parti fitoi 2.13 për qind të votave dhe mbeti nën pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Kështu, të paktën për momentin, përfundon periudha e suksesit të Daçiqit në mbajtjen e socialistëve në pushtet, falë aleancave me partitë qeverisëse. Kjo manovrim politik i mundësoi atij të zgjidhej katër herë ministër i Brendshëm, për herë të fundit në prill të vitit 2025.
Goran Bogdanoviq, si ministër për Kosovën, ishte pjesë e Qeverisë së Serbisë të udhëhequr nga kryeministri Mirko Cvetkoviq, nga viti 2008 deri në kthimin e Alleksandar Vuçiqit dhe subjektit të tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS), në pushtet në vitin 2012.
“Kam pasur rastin të punoj me të [Daçiqin] për katër vjet. Edhe në kohën tonë ai shtirej se nuk pyetej për asgjë, ndërsa në të vërtetë përfitimet që kishte i shfrytëzonte si për vete, ashtu edhe për njerëzit e tij”, thotë Bogdanoviq.
“Nëse i respektojmë ligjet e Republikës së Serbisë, mendoj se duhet të ketë përgjegjësi, jo vetëm politike. Si është e mundur që Ivica Daçiq, si ministër i Brendshëm, të mos pyetej? Mund të gjykoj nga përvoja ime kur isha ministër. Nëse do të nuk pyetesha, nëse nuk do të vendosja, automatikisht do të jepja dorëheqje. Nuk mund të mbaj vetëm përgjegjësi politike. Mendoj se përgjegjësia duhet të nisë, para së gjithash, nga BIA [Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë], Drejtoria e Policisë dhe, natyrisht, ministri. Nuk mund të bëjmë sikur nuk shohim përgjithmonë”, shpjegon Bogdanoviq qëndrimin e tij.
Kush e kërkon Radoiçiqin?
Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe përmes ndërmjetësimit të UNMIK-ut, Interpol-i lëshoi fletarrestim ndaj Radoiçiqit dy muaj pas sulmit në Banjskë.
Sulmi në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i serbëve të armatosur vranë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Megjithatë, interesi kryesor ndërkombëtar për këtë serb nga Kosova daton që nga 8 dhjetori i vitit 2021.
Atë ditë, Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit vendosi sanksione ndaj Radoiçiqit. Ai u identifikua si anëtar i grupit të organizuar kriminal të udhëhequr nga Zvonko Vesellinoviq, i cili thuhet se merret me kontrabandimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve, korrupsionin gjatë dhënies së kontratave për projekte infrastrukturore dhe ryshfet ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Që nga ajo kohë, të dy janë në të ashtuquajturën “listë të zezë” amerikane. Vesellinoviqi dhe Radoiçiqi lidhen rregullisht me njëri-tjetrin, ndonëse i pari nuk është përfshirë kurrë në politikë, por ka zhvilluar biznese në të paktën tri shtete të Ballkanit. Bizneset e tyre shpesh janë shoqëruar me spekulime për pozitën e privilegjuar që kanë falë lidhjeve me qarqet politike. Zvonko Vesellinoviqi u largua nga Serbia dy javë pas zgjedhjeve të tetorit, përmes Sarajevës, drejt Stambollit. Nuk dihet nëse ai më pas ka qëndruar në Turqi.
Pas sulmit në Banjskë, veprave me të cilat lidhet Radoiçiqi iu shtua edhe ajo që ka gjasë të jetë më e rënda: terrorizmi.
Kosova për këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e mori Radoiçiqi, fajëson Serbinë. Por, Beogradi ka mohuar përfshirjen.
“Në rastin e Radoiçiqit kemi elemente të veprës së terrorizmit ndërkombëtar. Nëse kujtojmë se si u karakterizua Banjska, para së gjithash nga Bashkimi Evropian, e më pas nga Shtetet e Bashkuara, aty përmendet vepra penale e terrorizmit. Natyrisht, gjykata serbe nuk e ka karakterizuar në këtë mënyrë, por këtu kemi, do të thosha, një vepër që është më e rrezikshme për shoqërinë dhe më e rrezikshme në nivel ndërkombëtar sesa në rastin e (Millosh) Medenicës”, thotë Igor Bandoviq, duke e krahasuar Radoiçiqin me rastin e një tjetër të arratisuri nga drejtësia, Millosh Medenica.
Medenica u dënua nga gjykata në Mal të Zi, në janar të vitit 2026, me dhjetë vjet e dy muaj burgim, veç tjerash, për veprën e krijimit të një organizate kriminale. Që atëherë, ai është në arrati dhe shpesh publikon komente në rrjetet sociale për ngjarjet në Serbi, duke vënë në shënjestër, jo rrallë, ish-presidentin e Serbisë, tashmë liderin e SNS-së, Alleksandar Vuçiq.
Si u konstatua se Radoiçiqi nuk ishte në Serbi?
Më 15 nëntor, Radoiçiqi pritej të paraqitej në stacionin policor Savski Venac në Beograd, por ai nuk u paraqit. Sipas vendimit gjyqësor të shqiptuar më 4 tetor 2023, ai ishte i detyruar të paraqitej në Polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit. Dy ditë pasi nuk u paraqit, ndaj tij u lëshua fletarrestim.
Tre vjet më parë, Radoiçiqit iu konfiskua pasaporta, iu ndalua të largohej nga Serbia, si dhe të shkonte në Kosovë, e cila kërkon nga Serbia ekstradimin e tij për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023.
Po ashtu, tre pjesëtarë të këtij grupi të serbëve që kryen sulmin në Banjskë u dënuan në prill të vitit 2026 nga një gjykatë në Kosovë, dy prej tyre me burgim të përjetshëm, ndërsa Radoiçiqi, i cili pranoi se e kishte organizuar sulmin, u strehua në Serbi.
Sa i përket vendbanimit të tij para se të zhdukej, ai mund të ketë qenë një vilë me pishinë dhe oborr të rrethuar, e ndërtuar pa të dhëna zyrtare për lejet e ndërtimit, në lagjen elitare Dedinje të Beogradit, në territorin që mbulohet nga stacioni policor ku ai ishte i detyruar të paraqitej.
Parcela ku është ndërtuar objekti figuron si “pronë e përbashkët e bashkëshortëve”, Millan dhe Ema Radoiçiq. Por, si pronare aktuale e shtëpisë figuron vetëm Ema Radoiçiq.
Ai nuk është paraqitur para gjykatës gjatë tre vjetëve që nga sulmi në Banjskë. Në Serbi, ndaj tij është nisur procedurë penale për vepra kundër sigurisë së përgjithshme, përfshirë prodhimin, mbajtjen, bartjen dhe tregtimin e armëve, por aktakuzë nuk është ngritur deri më sot.
A e mbrojti Vuçiqi Radoiçiqin?
Është më e lehtë të përgjigjesh nëse pyetja shtrohet në të kundërtën. Se Vuçiqi kishte simpati politike për Radoiçiqin u pa në njëfarë mënyre para zgjedhjeve parlamentare, kur ai u shfaq në tubimin e SNS-së para sallës “Jezero” në Kragujevc. Në një video të televizionit N1 të 9 tetorit 2026, ai shihet pranë Danillo Vuçiqit, djalit të Vuçiqit.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë bërë disa herë thirrje që autoritetet serbe ta ndjekin penalisht Radoiçiqin. Herën e fundit, pas paraqitjes së tij në tubimin në Kragujevc, shprehën zhgënjim.
“Jemi të zhgënjyer që Serbia deri më sot nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht, me akuza të përshtatshme, ata që ndodhen në Serbi”, thuhet në komentet e BE-së, ku aludohet në rolin e Radoiçiqit në Banjskë.
Sa i përket qëndrimit të ish-presidentit serb ndaj Radoiçiqit, Vuçiqi këmbëngulte se ai do t’u përgjigjej thirrjeve të gjykatës në Serbi dhe se nuk do të fshihej apo të arratisej.
“Nëse dikush mendonte se ai [Radoiçiqi] do të arratisej ose do të fshihej, nuk do ta bëjë”, tha Vuçiqi pas sulmit në Banjskë.
“Ai e konsideron veten luftëtar për liri, nuk i ka braktisur kurrë shokët e tij dhe nuk do t’i braktisë kurrë”, shpjegoi ai.
Kontaktet politike burojnë nga marrëdhëniet e ndërtuara mes Listës Serbe, ku Radoiçiqi ishte nënkryetar deri në dorëheqjen që dha pesë ditë pas ngjarjeve në Banjskë, dhe progresistëve të Vuçiqit.
Lista Serbe ka dominuar politikisht në komunat me shumicë serbe në Kosovë gjatë 13 vjetëve të fundit. Radoiçiqi ishte nënkryetar nga viti 2018 deri në vitin 2023, në kohën kur partinë e drejtonte Goran Rakiqi, i cili aktualisht është deputet i progresistëve të Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë.
Me rënien e Vuçiqit në Serbi, në mënyrë të pashmangshme po rishqyrtohet edhe pozita e Listës Serbe në Kosovë.
A “merr frymë më lirshëm” veriu i Kosovës?
“Gjatë javëve të fundit, besoni, mendojmë më lirshëm, i shprehim më lirshëm mendimet dhe njohuritë tona”, thotë Bogdanoviqi, i cili prononcimin e dha nga Leposaviqi, që është një prej katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
“Për shembull, një dyqan ushqimor në Leposaviq që e mbajnë shqiptarët ishte bojkotuar, askush nuk guxonte të hynte aty. Rrallëkush kishte guxim të hynte në ‘Interex’ për të blerë, edhe pse mallrat ishin të paktën 30-40 për qind më të lira se në dyqanet serbe. Por tani, isha para disa ditësh, e dini sa njerëz ka? E dini sa njerëz kanë guxuar të vijnë e të blejnë?”.
“Por këta njerëz, ajo Lista Serbe, janë armiqtë tanë më të mëdhenj se shqiptarët, nëse mund të quhen armiq. Ata i kanë terrorizuar serbët”, thotë Bogdanoviqi.
“Ja, shembulli i fundit – zgjedhjet. Unë, për shembull, prita pesë orë në një drejtim dhe pesë orë në kthim, kur shkova të votoja në Rashkë. Duhet ta shihni mjerimin. Njerëzit shkojnë në këmbë. Disa prej tyre i njoh dhe u them: ‘Çfarë ju shtyn?’ Ata thonë: ‘Ah, duhet, e di si na kërcënojnë, na kanë telefonuar, nuk kishim menduar të shkonim’. E dini, kur e detyron një qytetar të zakonshëm të shkojë të votojë. Kjo mund të duket e parëndësishme, por nesër mund të bëhet edhe çështje e vendit të punës”, përfundon ky bashkëbisedues.
A ka Lista Studentore qëndrim për “rastin Radoiçiq”?
Duke premtuar rishikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të qeverisë së mëparshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Lista Studentore po shmang edhe bashkëpunimin me Listën Serbe.
Deputeti i kësaj liste, Jugosllav Gashiq, ka deklaruar se me Listën Serbe do të komunikojnë përmes bashkësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj çështjeve që lidhen me Kosovën, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, fituesit e zgjedhjeve në Serbi, në muajin e parë pas fitores, kryesisht po shmangin komentet dhe deklarimin e qëndrimeve më të hollësishme.
“Po, mendoj se kjo është e vërtetë, por në këtë rast konkret, mendoj se jo”, thotë Goran Bandoviqi.
“Lista Studentore ende nuk e ka formuar qeverinë. Është e vërtetë se nuk deklarohen shumë për politikën e jashtme, Kosovën e kështu me radhë. Por në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me çështjen e Kosovës dhe politikën e jashtme, por pikërisht me mënyrën se si e gjithë çështja e Kosovës i është lënë krimit të organizuar dhe korrupsionit. Besoj se ata do të deklarohen shumë për këtë çështje, sepse, ndër të tjera, kjo është një nga prioritetet e tyre – sundimi i ligjit”, përfundon Bandoviqi. /REL