Kirurgu Adem Ademi, mbetjet mortore të së cilit u identifikuan nga gërmimet që janë zhvilluar në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të zhdukur që nga lufta, është rivarrosur sot në Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.
Më 3 nëntor, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga raportet e reja të ADN-së është identifikuar që mbetjet mortore të gjetura nga gërmimet në fshatin Kalludër e Zubin-Potokut janë të; Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.
Homazhet në nderim të figurës së tij janë mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në kuadër të ceremonisë së rivarrimit.
Ndërkaq, me intonimin e himnit kombëtar është mbajtur edhe mbledhja komemorative, ku është kujtuar kontributi i doktor Adem Ademit si intelektual, atdhetar dhe humanist.

