Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar 82-vjetorin e themelimit, me ç’rast janë prezantuar të arriturat e institucionit gjatë vitit 2026 dhe projektet në fushën e ruajtjes e digjitalizimit të trashëgimisë së shkruar.
Drejtoresha e Përgjithshme, Blerina Rogova-Gaxha, veçoi zgjerimin e veprimtarisë kulturore, bashkëpunimin ndërkombëtar, anëtarësimin e Kosovës për herë të parë si anëtare vëzhguese në rrjetin letrar Traduki, si dhe funksionalizimin e rrjetit të bibliotekave përmes platformës KOHA. Ajo përmendi edhe botimin e veprës “Bibliografia e librit shqip 1912–1944” dhe avancimin e proceseve të digjitalizimit.
Gjatë ceremonisë u bë e ditur se Biblioteka ka digjitalizuar rreth katër milionë faqe nga gazetat, librat, revistat dhe materialet e tjera që ruhen në arkivin e saj. Të pranishmit patën mundësi të njihen edhe me arkivin digjital të institucionit.
Në këtë përvjetor, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe krijimit të Qendrës së Digjitalizimit. Ndërkaq, Shqipe Canolli-Haziri prezantoi veprën “Bibliografia e librit shqip 1912–1974”, e cila dokumenton historinë e librit dhe zhvillimin intelektual e kulturor të shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Vepra është rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare, të nisur në vitin 1968.