Paraburgosen tre të dyshuarit në rastin “Kufiri 2”

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës, gjatë ditës së djeshme, arriti të kapte tre persona të dyshuar për posedim të rreth 136 kilogramëve drogë të dyshuar marihuanë.

E sot, Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit në rastin e koduar “Kufiri 2”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, të dyshuarit A.N., A.C. dhe T.E., të tre shtetas të Kosovës, dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Daci, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 27 nëntor 2026, të pandehurit, në kuadër të një veprimi të përbashkët, kishin ndërmarrë veprime të koordinuara me qëllim të transportimit të substancës narkotike të llojit marihuanë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 136 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.

Për operacionin kishte njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte deklaruar se i dyshuar në këtë rast është edhe një zyrtar policor.

Madje ai bëri me dije se gjatë tentimit për të ndaluar makinën e dyshuar, e njëjta nuk është ndalur, çka ka bërë që zyrtarët policorë të përdorin edhe armën e zjarrit.

Të ngjashme