Kamberi flet rreth marrëveshjes për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Luginë

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur rreth marrëveshjes që është formalizuar për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, në një takim në Qeverinë e Kosovës me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas Kamberit, Këshilli do të udhëhiqet nga Enkel Rexhepi, ndërsa marrëveshja vjen pas bashkimit të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare.

Ai e ka cilësuar këtë si një hap drejt konsolidimit të bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kamberi ka theksuar përmes një postimi në Facebook se respektimi i vullnetit të qytetarëve, gjithëpërfshirja dhe ndarja proporcionale e përgjegjësive duhet të jenë bazë e funksionimit të Këshillit.

Ai ka falënderuar kryeministrin Kurti për angazhimin në bashkimin e politikës shqiptare në Luginë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës.

“Përbashkimi duhet të dëshmohet me bashkëpunim, punë dhe rezultate konkrete për qytetarët tanë”, shtoi ai.

Të ngjashme