Mali i Zi miraton buxhetin për vitin 2027/ Paga minimale deri në 1400 euro

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Malit të Zi ka përcaktuar Propozim-buxhetin për vitin 2027, me vlerë mbi pesë miliardë euro, së bashku me të ashtuquajturin “Modeli Euro”, me të cilin nga 1 janari parashikohet një rritje drastike e pagave minimale në 1.000, 1.250 dhe 1.400 euro, në varësi të shkallës së arsimimit.

Ndërsa kryeministri Milojko Spajiq porosit se ky hap sjell standard evropian dhe ndalon largimin e të rinjve, ekonomistët vendas dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmërojnë për rreziqe serioze fiskale.

Buxheti për vitin e ardhshëm u miratua pothuajse dy javë pas afatit ligjor, ndërsa vlerësimet e para tregojnë për sfida të rëndësishme financiare.

Sipas parashikimeve, për financimin e buxhetit do të mungojnë të paktën 1,8 miliardë euro, ndërsa deficiti buxhetor mund të arrijë rreth 540 milionë euro, ose gjashtë për qind të PBB-së (GDP) së vlerësuar. Me këtë rritje të pagës minimale, e cila aktualisht është 600 dhe 800 euro, Mali i Zi me një lëvizje të vetme do të tejkalonte një sërë vendesh anëtare të BE-së ekonomikisht dukshëm më të zhvilluara.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi së fundmi se zbatimi i “Modelit Euro” mund të shkaktojë një valë të re inflacioni, ta rrisë deficitin buxhetor deri në nëntë për qind të PBB-së, dhe borxhin publik në 72 për qind të PBB-së.

Sipas vlerësimit të FMN-së, përshpejtimi afatshkurtër i rritjes do të paguhej me paqëndrueshmëri afatgjatë fiskale në një moment kur rritja e ekonomisë malazeze tashmë po ngadalësohet në rreth tre për qind në vit. Nga ana tjetër, punëdhënësit malazezë paralajmërojnë se rritja e papritur e kostove të punës mund të çojë në humbjen e deri në 18.000 vendeve të punës.

“Modeli Euro” paraqet hapin përfundimtar në heqjen e kontributeve mbi pagat, të nisur me programet e mëparshme “Evropa tani 1” dhe “Evropa tani 2”.

Pas heqjes së mëparshme të kontributeve për shëndetësi dhe uljes së kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor (PIO), tani parashikohet heqja e tyre e plotë, me ç’rast Fondi PIO mbetet pa burimin e vet të të ardhurave, FrontOnline.

Të ngjashme