Gani Geci rrëfen momentin kur morën vesh për rënien e Adem Jasharit: Ka qenë sikur të na këputej krahu

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka rrëfyer momentin kur morën vesh për rënien e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, gjatë sulmit të forcave serbe në Prekaz më 5 mars 1998.

Në një intervistë për Diaspora24, Geci ka thënë se fillimisht nuk e kishte ditur se Adem Jashari ishte vrarë, pasi nuk kishin telefona dhe as qasje në komunikim.

“Na në fillim nuk e kam ditë që u vra Ademi, sepse nuk kemi pasur as telefona, as qasje në telefona. Po kur kemi marrë vesh, ka qenë si me ta këput krahun, si me të dalë zemra prej vendit”, ka rrëfyer Geci.

Ai ka kujtuar se e gjithë familja Jashari kishte qëndruar për dhjetë vjet me pushkë në dorë, duke pritur çdo ditë se kur do të vinin forcat serbe.

“Dhjetë vjet me nejtë me pushkë në dorë, nëpër ditë me pritë që forcat serbe kanë me ardhë sot, kanë me ardhë nesër dhe kur ka ardhë, ka qenë një sakrificë e madhe për ta”, ka thënë ai.

Në fund, Geci ka theksuar se përjetimi më i rëndë ishte humbja e Adem Jasharit dhe e gjithë familjes së tij, por edhe e lagjes Jashari.

“Dhe kjo ka qenë ajo përjetimi më i rëndë i joni që nuk është në mesin tonë dhe jo vetëm Ademi, por krejt familja Jashari, jo vetëm familja Jashari, por krejt lagjia Jashari” , u deklarua Geci.

Të ngjashme