Zviceranët jetojnë më gjatë, por popullsia po plaket gjithnjë e më shumë

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Jetëgjatësia mesatare arrin në 86.3 vjet për gratë dhe 82.7 vjet për burrat, ndërsa numri i martesave bie në nivelin më të ulët në katër dekada.

Zvicra po përballet me ndryshime të rëndësishme demografike, të karakterizuara nga plakja e popullsisë, rënia e numrit të martesave dhe rritja e jetëgjatësisë.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave (UST), në vitin 2025 Zvicra numëronte 9.13 milionë banorë, krahasuar me 6.8 milionë në vitin 1990. Shtetasit e huaj përbëjnë 28 për qind të popullsisë, shkruan Ticinonews, transmeton albinfo.ch.

Rritet numri i vdekjeve

Gjatë vitit 2025, në Zvicër janë regjistruar 71,904 vdekje, prej të cilave 46,535 ishin persona të moshës 80 vjeç e lart.

Për krahasim, në vitin 2000 ishin regjistruar 62,528 vdekje, ndërsa në vitin 2010 kjo shifër ishte 62,649.

Rritja e numrit të vdekjeve lidhet kryesisht me plakjen dhe shtimin e popullsisë, ndërsa jetëgjatësia vazhdon të rritet.

Sa është jetëgjatësia në Zvicër?

Viti Burrat    Gratë

2000       76.9 vjet 82.6 vjet

2010       80.2 vjet 84.6 vjet

2025       82.7 vjet 86.3 vjet

Në krahasim me vitin 2000, jetëgjatësia është rritur me 5.8 vjet për burrat dhe 3.7 vjet për gratë.

Më pak martesa dhe ndryshime në strukturën familjare

Në vitin 2025 në Zvicër kanë lindur 78,153 fëmijë. Më shumë se një në tre fëmijë ka lindur jashtë martesës.

Numri i martesave ka rënë për 900 krahasuar me vitin 2024, duke arritur nivelin më të ulët në 40 vjet, me përjashtim të periudhës së pandemisë.

Kohëzgjatja mesatare e martesave që përfundojnë me divorc është 15.8 vjet, ndërsa shumë çifte ndahen edhe pas më shumë se dy dekadash martesë.

Zvicra pritet të ketë mbi 10 milionë banorë deri në vitin 2055

Për herë të parë, në vitin 2025, numri i banorëve të moshës 65 vjeç e lart ka tejkaluar numrin e personave nën moshën 20-vjeçare.

Sipas skenarëve demografikë të Zyrës Federale të Statistikave, popullsia e Zvicrës pritet të arrijë në 10.47 milionë banorë deri në vitin 2055.

Deri atëherë, për çdo person në moshë pensionimi pritet të ketë vetëm rreth dy persona në moshë pune, një zhvillim që mund të shtojë presionin mbi sistemin e pensioneve, shëndetësinë dhe tregun e punës.

Të ngjashme