Kulla akulli po ngrihen mbi fshatrat malorë të Kirgizisë dhe mund të jenë çelësi për të frenuar shpopullimin e zonave malore të vendit.
“Kam udhëtuar nëpër të gjitha fshatrat malorë të Kirgizisë dhe ajo që kam parë është migrimi për shkak të klimës, veçanërisht i të rinjve”, tha Matraim Jusupov, ekspert i menaxhimit të ujërave, për Radion Evropa e Lirë nga Bishkeku, ku ai jeton. “Akullnajat natyrore tashmë po zhduken dhe njerëzit nuk mund t’i kultivojnë më tokat e tyre që kërkojnë ujitje”.
“Vendosëm që të krijonim ‘akullnaja artificiale’”, në përpjekje për të siguruar ujë gjatë gjithë vitit për vendbanimet malore, shpjegoi ai. “Duam që banorët e fshatrave, veçanërisht të rinjtë, të mund të qëndrojnë. Kur ka ujë, ata mund të punojnë tokën dhe të sigurojnë të ardhura”.
Akullnajat artificiale krijohen duke përcjellë ujin nga përrenjtë malorë që gjenden në lartësi të mëdha, përmes tubave nëntokësorë, drejt një vendi të ftohtë dhe me hije pranë një fshati. Dallimi në lartësi krijon presion të mjaftueshëm për ta shtyrë ujin lart përmes tubave vertikalë të pajisur me një grykë të ngjashme me spërkatësit e ujit që përdoren në kopshte. Gjatë dimrit, uji i spërkatur ngrin në ajër ose pasi bie mbi sipërfaqet e ftohta, duke formuar gradualisht një grumbull akulli.
Në pranverë dhe verë, kulla e formuar e akullit shkrihet gradualisht dhe uji përcillet në një rezervuar ku banorët mund ta përdorin, duke ndihmuar në plotësimin e rezervave natyrore të ujit.
Akullnajat natyrore në vargmalin kirgiz kanë humbur gati një të tretën e vëllimit të tyre gjatë 50 vjetëve të fundit, ndërsa ritme të ngjashme të shkrirjes janë raportuar edhe në rajone të tjera malore të vendit në Azinë Qendrore.
Historikisht, akullnajat kanë qenë burim jetik për komunitetet malore, duke grumbulluar sasi të mëdha dëbore dhe akulli gjatë muajve të ftohtë të dimrit, të cilat më pas shkrihen gradualisht në pranverë dhe verë.
Jusupov tha se akullnajat e para artificiale në Kirgizi u krijuan në vitin 2016, në rajonin malor të Narinit.
Kjo ndodhi pak kohë pasi kjo teknikë e ruajtjes së ujit u përdor për herë të parë në malet e Indisë.
“Në fillim nuk i kushtova shumë vëmendje. Banorët e fshatrave tashmë po e bënin vetë, por sistemi funksiononte për një vit dhe më pas ndalonte”, kujtoi eksperti i ujërave.
Jusupov, i cili punon me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), së fundi hartoi udhëzime për ndërtimin e akullnajave artificiale, të cilat Ministria e Burimeve Ujore e Kirgizisë i miratoi në tetor.
Aktualisht, në të gjithë Kirgizinë janë ndërtuar rreth 40 akullnaja artificiale, ndërsa po planifikohet zgjerimi i kësaj nisme në qindra vendbanime malore.
Kostoja e instalimit të secilës akullnajë varion nga 3.500 deri në 10.000 dollarë, në varësi të faktorëve, përfshirë distancën që duhet të përshkojnë tubat për të sjellë ujin nga përrenjtë malorë dhe madhësinë e rezervuarit ku grumbullohet uji i shkrirë.
Kapaciteti i secilës akullnajë artificiale ndryshon shumë, por në një zonë të Kirgizisë, shtatë akullnaja artificiale thuhet se kanë grumbulluar rreth 1.5 milion metra kub akull gjatë një dimri të vetëm.
Banorët e fshatrave malore ku janë instaluar akullnajat kanë raportuar për rezultate të ndryshme.
“Përfitimet e akullnajave artificiale janë shumë të mëdha”, tha Mederbek Karimov, kryetar i komunës Sumbula në jugperëndim të Kirgizisë, për Shërbimin kirgiz të Radios Evropa e Lirë. “Dua ta zgjeroj edhe më tej këtë program. Këtë vit planifikojmë të instalojmë edhe shtatë ose tetë të tjera”.
Në fshatin Gaz, në perëndim të vendit, një përpjekje e bërë së voni për të instaluar një akullnajë artificiale mund të ketë dështuar për shkak të vendndodhjes së saj.
“U rrit mjaft, por nuk pati shumë efekt”, tha Rustam Matkarimov, kryetar i fshatit.
“U formua mirë, por më pas u shkri pothuajse menjëherë. Mund të jetë ndërtuar në një lartësi shumë të ulët dhe nuk dha rezultatet e dëshiruara”, tha ai “Duket se duhej të ndërtohej më lart në male, në një vend më të ftohtë”.
Jusupov tha se udhëtimet e tij për mbikëqyrjen e ndërtimeve të sistemeve të akullnajave artificiale në Kirgizi, të cilat nganjëherë përfshijnë ngjitjen për orë të tëra në shtigje malore me kalë, e kanë përballur atë drejtpërdrejt me përmasat e problemit që po hasin banorët e zonave të larta malore të Kirgizisë.
Mbi një fshat malor, në një lartësi prej 3.300 metrash, ai tha se “pashë akullnajën e fundit natyrore duke u zhdukur. Kishte mbetur shumë pak prej saj. E kuptoni? Banorët më thanë: ‘Pas një viti do të mbetemi pa ujë’”.
Nisma e Kirgizisë për ruajtjen e ujit po ngjall interes edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore.
Rezultatet e një pilot-projekti me kulla akulli të instaluara pranë një fshati malor në juglindje të Uzbekistanit, në nëntor, u prezantuan në konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike COP31, teksa ka plane për të zgjeruar instalimin e sistemeve të tilla edhe në pjesë të tjera të vendit.