Të paktën 10 nxënës janë vrarë dhe 110 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi pranë një shkolle në Afganistan, i ka thënë një zëdhënës BBC-së.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mëngjes në zonën Anderseir të Asadabadit, kryeqyteti i provincës Kunar, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të qeverisë talebane.
Në një postim në platformën X, Abdul Mateen Qani deklaroi se, sipas hetimeve paraprake, shpërthimi është shkaktuar nga “pakujdesia dhe neglizhenca” në një depo lëndësh plasëse që u përkiste kompanive minerare aty pranë.
Ai shtoi se hetimet për incidentin janë duke vazhduar.
Sami ul Haq Bayan, drejtor i Kulturës dhe Informacionit në provincë, tha për agjencinë AFP se shpërthimi ndodhi në një shtëpi pranë shkollës 9-vjeçare “Shagai” në Asadabad, ndërsa po përgatiteshin lëndë plasëse për punime minerare dhe thyerje shkëmbinjsh.
Agjencia “Associated Press” citon gjithashtu zyrtarin, i cili bëri të ditur se rreth 15 të plagosur ndodhen ende në spital, ndërsa të tjerët janë larguar pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm.
Pamjet nga brenda një klase të dëmtuar shfaqin xhama të thyer dhe mbetje të shpërndara, mes të cilave gjenden këpucë dhe çanta shkollore të braktisura.