Është caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës masa e paraburgimit kundër të pandehurit L.P që dyshohet se e ka vrarë shokun e tij, të miturin Shkelqim Pllana. Vrasja ka ndodhur më 9 dhjetor në Prishtinë.
Njoftimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës tregon se kjo gjykatë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.P, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 pika 1.1 të KPK-së.
“Të pandehurit L.P i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt. 11.12.2017 deri me dt.11.01.2018”, thuhet në njoftimin për media.
Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.P është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë të të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
“I pandehuri L.P dyshohet se me dt. 09.12.2017, në Prishtinë ka privuar nga jeta të miturin SH.P, për shkak të një mosmarrëveshje në mes tyre, andaj për këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 pika 1.1 të KPK-së”, thuhet në njoftimin e dërguar për media.
Shkëlqimi kishte pranuar një telefonatë nga L.P. dhe me të dalë nga shtëpia u godit me thikë afër zemrës, plagë së cilës nuk mundi t’i bëjë ballë.