Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar “Ditën e Orientimit për Studentët e Rinj”, në të cilën ka pritur studentët e rinj me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Në këtë organizim prezente ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila iu drejtua studentëve të pranishëm me kërkesën që shkathtësitë e fituara gjatë studimeve, t’i përdorin për zhvillimin e vendit.
“Dija dhe shkathtësitë që i merrni gjatë këtyre viteve vendos nëse nëse si vend mund t’i përballojmë sfidat më të mëdha dhe më të vështira, prandaj ne kemi nevojë që secili nga ju të zhvillojë talentin, intelektin dhe shkathtësitë tuaja që të ndihmoni në zgjidhjen e problemeve me të cilat shoqëria jonë po ballafaqohet”.
“Ne po vazhdojmë të ballafaqohemi me shumë probleme, kemi ende shumë fusha ku ndryshimi është urgjentisht i nevojshëm. Po çalojmë në zhvillim në fusha jetike, atë të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe në fusha të tjera. Mirëpo të dashur , unë jam optimiste se me të rinjtë si ju ëndrra për një Kosovë më të mirë do të jetësohet së shpejti”.
Jahjaga u kërkoi studentëve të mundohen dhe ta japin më të mirën për Kosovën, duke mos e dëshpëruar familjen dhe shoqërinë, raporton EO.
“Të gjitha shpresat për krijimin e një Kosove më të mirë e më të drejtë e të barabartë, bie mbi ju të dashurit e mi. Është obligimi i secilit prej nesh, por në të njëjtën kohë është një nder i madh t’i shërbesh popullit tënd por edhe vendit. Unë pres që të mundoheni dhe të jepni më të mirën tuaj në çdo gjë që bëni, pres të shoh gjëra të mira nga ju. Mos na dëshpëroni. Familja, shoqëria ka besim në ju. Andaj na bëni krenarë të gjithëve, sepse unë kudo ku shkoj në botë, krenaria më e madhe që prezantoj është potenciali që ka Kosova, jeni ju vajza dhe djem të rinj të Kosovës”.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema u tha studentëve se tashmë ekziston një sistem teknologjik i cili u mundëson atyre qasje të lehtë në shërbimet online.
“Ne kemi konsoliduar Qendrën për Të Drejtat e Njeriut, ku sa herë të trokisni do gjeni një derë të hapur për ju, teksa kemi krijuar një sistem teknologjik, praktik, i cili iu mundëson qasje të lehtë në shërbimet tona online”.
“Me emrin e Universitetit të Prishtinës nuk nënkuptojmë vetëm simbolin e dijes dhe arsimimit. UP për secilin nga ne përfaqëson vlerat tona kombëtare, qëndresën dhe fuqinë studentore. E kaluara dhe e ardhmja e Kosovës lidhen me këtë institucion dhe nuk dua të mos përmend faktin që kjo ditë shënon edhe një datë historike, pikërisht 21-vjetorin e demonstratave të studentëve. Nga ajo ditë historike dua të rikujtoj thënien e rektorit legjendar, Statovci, i cili tha: Universiteti është me studentët dhe studentët janë të universitetit”.
Rektori Dema u tha studentëve se e ardhmja e shoqërisë është në duart e tyre, raporton EO.
“Ngritja juaj dhe e ardhmja e kësaj shoqërie është në duart tuaja. Përveç fatit tuaj, ju keni edhe fatin e kësaj shoqërie. Ju jeni mjekët e ardhshëm, ju jeni mësuesit, juristët, gazetarët, studiuesit, psikologët, filozofët, sportistët, linguistët, matematikanët, shkencëtarët, ekonomistët, artistët e kësaj shoqërie”.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, u tha studentëve që nga periudha e studimeve varet e ardhmja e tyre.
“Nga kjo periudhë e studimeve, varet e ardhmja juaj. Arsimi i lartë ka rol thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërisë. Besoj që me angazhim profesional, secili me punën e vet do të kontribuojmë. Arsimi i lartë është forca kryesore, shtytëse e ndryshimit shoqëror”.
UP-ja për herë të parë organizon një pritje të tillë me pjesëmarrjen e të gjitha njësive akademike dhe zyrave/qendrave që kanë kontakt me studentët, ku studentët e rinj mund të informohen nga afër lidhur me studimet në UP.
Në kampusin e UP-së janë organizuar kënde informuese për secilin fakultet, në të cilët studentët e rinj janë ftuar të shohin nga afër dhe të informohen rreth fakulteteve të UP-së.

