Kur takoheni me Joaquinin, duhet të keni parasysh tri gjëra: dashurinë e madhe për Real Betisin, personalitetin e tij të veçantë dhe paralajmërimin e të gjithëve në klub se ai gjithmonë vonohet.
Joaquin është lojtari që gjithmonë del i fundit nga stërvitjet dhe po ashtu i fundit nga dushi. Bashkëlojtarët sa herë që shohin gazetarë para qendrës stërvitore duke pritur, e dinë se po e presin Joaquinin, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ata gjithmonë qeshin para gazetarëve, të cilëve iu thonë se “ky është Joaquini, i cili gjithmonë vonohet”.
Gjatë çdo seance stërvitore të Betisit që zgjat nga një orë e gjysmë, 37-vjeçari gjithmonë është në qendër të vëmendjes – duke qeshur me bashkëlojtarët dhe duke organizuar lojëra me stafin e trajnerëve.
Megjithatë, ai di të jetë edhe nervoz, por kjo ndodh zakonisht kur ekipi i tij në seancën stërvitore pëson humbje. Ai historinë e tij te Real Betisi e përshkruan si një “tregim dashurie”.
Joaquin thotë se ky tregim dashurie ka nisur kur i kishte 16-vjeç, moshë në të cilën iu bashkua akademisë së Betisit dhe për çdo ditë udhëtonte nga një orë me tren nga qyteti i tij, El Puerto de Santa Maria për në qendrën stërvitore.
“Nuk u nevojit shumë kohë për të rënë në dashuri me ngjyrat e klubit. Si fëmijë kam ëndërruar të stërvitem dhe të luajë për Real Betisin. Kështu që, unë pata fat dhe për këtë arsye jam i dashuruar përgjithmonë me këtë klub”, shprehet Joaquin.