E konfirmon menaxheri, Vedat Muriqi ka ofertë nga klubi francez

| 10 Maj 2019 | 09:35 | Nga

Sulmuesi i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Rizesporit, Vedat Muriqi, e ka kapur vëmendjen e shumë klubeve me paraqitjet e tij në Superligën e Turqisë gjatë këtij sezoni. Njëri ndër këto klube është edhe Toulouse.

Menaxheri i Vedat Muriqit, Haluk Canatar, ka bërë të ditur se Rizespori ka marrë ofertë konkrete nga klubi francez, Toulouse për transferimin e Vedat Muriqit. Canatar shtoi se nuk e di shumën e ofruar.

Muriqi ka shkëlqyer këtë sezon në Superligën e Turqisë me Rizesporin, Në 31 ndeshje të zhvilluara, ai i ka shënuar 14 gola dhe i ka asistuar shtatë të tjera.

“Rizesporit i ka ardhur ofertë për transferimin e Muriqit nga klubi francez Toulouse. Ali Rachedi, drejtori sportiv i Toulouse, e shikoi Vedatit në ndeshjen kundër Besiktasit dhe Basakserhir dhe ishte i kënaqur me atë që pa”, u shpreh Canatar.

“Nuk e di sa është çmimi i Vedatit”.

Në të dyja ndeshjet ku ishte i pranishëm drejtori sportiv i Toulouse, Muriqi e shënoi nga një gol. Por, në asnjërën prej këtyre ndeshje, skuadra e tij  nuk arriti të sigurojë fitore.

Për Muriqin është spekuluar nga mediat turke se gjatë afatit kalimtar të verës do të transferohet te gjiganti turk, Fenerbahce.

Toulouse luan në Ligue 1, nivelin e parë të futbollit në Francë. Ky klub për momentin radhitet në pozitën e 15-të në tabelën e këtij sezoni, shtatë pikë larg rrezikut për të rënë nga liga. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme