Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa mori sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të linjës së re të interkoneksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ministrat Blerand Stavileci dhe Damian Gjiknuri, përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), të operatorëve të energjisë si dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.
Mustafa theksoi me këtë rast se energjia është shtyllë tepër e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe parakusht i mirëqenies së qytetarëve.
Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:
Ju përgëzoj të gjithëve për këtë fitore të madhe të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Para gjashtë muajsh në Prishtinë, ne inauguruam përfundimin e punimeve në linjën e interkoneksionit në Kosovë dhe nga afër e pamë një mrekulli të inxhinieringut në energji, një projekt të botës moderne, projekt për ruajtjen e ambientit, por mbi të gjitha projekt i stabilizimit dhe arritjes së qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike të dy vendeve tona.
Sot, unë ndihem krenar që po përurojmë përfundimin e punimeve në pjesën e Shqipërisë, që shënon kompletimin e autostradës energjetike prej 400 KV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Mbi rëndësinë e këtij projekti flasin qytetarët tanë, flasin partnerët tanë. Këtë autostradë energjetike e vlerësojnë ekuivalente me rrugën e kombit për nga pesha për të dyja vendet tona, natyrisht në një aspekt tjetër zhvillimor.
Energjia është shtyllë e jona tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kemi nevojë për energji stabile dhe të bollshme për biznese dhe ekonomi familjare, si parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe si parakusht i mirëqenies së qytetarëve tanë.
Rrumbullakësimi i këtij projekti veç tjerash përmbushë edhe zotimet tona që të krijohet një sistem i qëndrueshëm dhe i fuqishëm energjetik dhe të krahasueshëm me vendet tjera në rajon dhe Evropë.