Aktivistja dhe themeluesja e “Fondit për të Drejtën Humanitare”, Natasha Kandic, ka thënë se deklaratë e ministres serbe, Snezana Paunovic është alarmante, meqë sipas Kandic as vetë Sllobodan Millosheviq nuk e kishte promovuar publikisht spastrimin etnik si një objektiv politik në vitin 1998.
“Deklarata e saj zbulon diçka që e konsideroj veçanërisht alarmante. As vetë Slobodan Miloshevici nuk e promovoi publikisht spastrimin etnik të Kosovës si objektiv politik në vitin 1998. Nën presionin ndërkombëtar, ai pranoi disa kërkesa, përfshirë zvogëlimin e pranisë ushtarake dhe lejimin e kthimit të një pjese të civilëve të zhvendosur. Ndërsa ministrja Paunovic tani thotë se Kosova duhej të ishte “spastruar” qysh në vitin 1998 me fjalë të tjera, se kushtet për kryerjen e spastrimit etnik atëherë ishin më të favorshme sesa në vitin 1999.”, ka thënë Kandic.
Kandic thotë se Paunovic e ka marrë pozitën e saj në Qeverinë e Serbisë meqë ajo është në gjendje të thotë atë që të tjerë në qeveri preferojnë të mos e thonë hapur, pra që “spastrimi etnik duhet të prezentohet si zgjidhje legjitime politike”.
“Qeveria e Serbisë përfshin ministra që, sa herë flasin për luftërat e viteve 1990, zbulojnë se ende i mbështesin politikat e Slobodan Milosheviqit dhe shprehin keqardhje që objektivi i kohës së luftës për bashkimin e territoreve që i konsideronin si “troje etnike serbe” nuk u arrit kurrë. Jam e prirur të besoj se Snezana Paunovic është emëruar ministre pikërisht sepse është e gatshme të thotë publikisht atë që të tjerët në qeveri preferojnë të mos e thonë hapur , se spastrimi etnik duhet të paraqitet si një zgjidhje legjitime politike”, ka shtuar tutje Kandic.
Kandic thotë se ministrja Paunovic ka prejardhje nga Peja dhe se ajo e di mirë se si policia serbe më 27 mars 1999 kishte dëbuar të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti dhe për krimet që ishin kryer në disa fshatra të Pejës.
“Ministrja Paunovic është nga Peja. Ajo e di shumë mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti. Njerëzit ikën në kolona të gjata në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa të tjerë u deportuan me autobusë në Shqipëri. Ajo i njeh gjithashtu krimet e kryera në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilë u vranë dhe trupat e tyre u dogjën”, thotë themeluesja e “Fondit për të Drejtën Humanitare”.
Aktivistja serbe thotë se fakti që Paunovic e paraqet hapur spastrimin etnik si zgjidhje, jep mesazh se një ideologji e tillë s’është braktisur.
“Fati i personave të zhdukur, vuajtjet e familjeve të tyre, fakti që shumë prej tyre ende nuk mund t’i varrosin të afërmit e tyre, si dhe vazhdimi i fshehjes së informacioneve për varrezat masive, qartazi nuk e shqetësojnë ministren Paunović. Deklarata e saj tregon se, për të, pasojat njerëzore të luftës nuk janë arsye për dhembshuri dhe përgjegjësi, por një mundësi për të justifikuar vetë politikën që i prodhoi ato”, shprehet Kandic.
Në fund, Kandic thotë se nuk pret që kryeministri ta shkarkojë atë, përkundrazi thotë se beson që qëndrimi i saj s’është një opinion personal i izoluar, por një qëndrim që nuk has në kundërshtim brenda niveleve më të larta të qeverisë./GazetaExpress/