Ende nuk dihet nëse do të mbahet apo jo nesër procesi mësimor.
Mosmarrëveshja në mes Ministrisë dhe Sindikatës së Arsimit po vazhdon.
Derisa e para po kërkon që mësimi nesër të mbahet dhe fëmijët të shkojnë në shkollë e dyta ka thënë që nesër s’do të ketë mësim.
Sindikatës së Arsimit krah po i del edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.
E, tashmë disa shkolla në komunën e Prishtinës, kanë publikuar njoftimet duke i lajmëruar nxënësit dhe mësimdhënësit që nesër do të zhvillohet procesi mësimor.
Një njoftim i tillë është bërë në shkollën fillore dhe e mesme e ulët “Ismail Qemali”, në Prishtinë.
Këtë e ka pranuar për Front Online edhe U.D e drejtoreshës, së shkollës Ismail Qemali në Prishtinë, Mimoza Krasniqi.
Derisa, ka thënë se të gjitha shkollat e Prishtinës i kanë bërë këto njoftime.
“Drejtoria e Arsimit e ka dorëzu kalendarin, për mbajtjen e mësimit, dhe ky njoftim është në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, të gjitha shkollat i kanë bërë postimet në faqet zyrtare të tyre, bile ne e kemi bërë në postim të brendshëm të shkollës, tash varet prej secilit mësimdhënës”, ka deklaruar ajo për Front Online.
Që ky vendim iu ka shpërndarë mësimdhënësve e ka thënë edhe drejtori i shkollës fillore “Elena Gjika”, Betim Sylejmani.
Ai pa dashur të jep më shumë detaje ka thënë se të gjithë mësimdhënësit nesër do të paraqiten në punë.
“Vendimi ju ka shpërnda mësimdhënësve që nesër me qenë në punë të gjithë dhe tjetër nuk kam çka të them”, është shprehur ai.
Ndërsa, drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, Sofie Bunjaku, ka thënë se sipas gjitha gjasave nesër në këtë shkollë s’do të ketë mësim.
“Prindërit i kishin pas dyshimet e veta dhe po më duket këtë të shtune jo, ta shohim nuk po mundem me garantua asgjë”, ka thënë ajo për Front Online.
Kundër mbajtjes së mësimit të shtunave është edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, për Front Online ka deklaruar se e shtuna nuk është ditë mësimi dhe është në kundërshtim me ligjin.
“Këshilla jonë është që e shtuna nuk është për mësim, është në kundërshtim me ligjin, është për pushim të fëmijëve dhe kështu dëmtohet procesi gjatë ditëve të tjera të javës, e shtuna është për aktivitete jashtë shkollës dhe aktivitet familjare, prandaj u themi prindërve që kanë të drejtë ligjore edhe të drejtë njerëzore të merren me aktivitet të tjera nëse duan. Askujt nuk ia ndalojmë që të shkoj në shkollë”, është shprehur Demi.
Kategorikisht kundër mbajtjes së mësimit të shtunave janë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Përfaqësuesi i SBAShK-ut, Ahmet Pllana ka thënë për Front Online se tashmë qëndrimi i tyre dihet.
“Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dje ka njoftuar se në bazë të kontratës kolektive se orët nuk zëvendësohen ditëve të vikendit dhe këtë e kanë thënë edhe prindërit edhe Asociacioni i Komunave do të thotë nuk ka marrëveshje në mes SBAShK-ut dhe MASHTI-it sepse në mënyrë të njëanshme e ka përpilu kalendarin e ri për zëvendësimin e orëve”, ka pohuar Pllana.
Sipas tij, janë vet shkollat ato që kanë kërkuar nga SBAShK-u që të dilet me deklaratë.
“Shkollat e dinë qëndrimin e SBAShK-ut, vet kanë kërkua që ne me dal me deklaratë e tash të veprojnë ashtu siç donë vet dhe ne e kemi dhënë mendimin me kërkesën e anëtarësisë. Kush donë me punua le të punon, s’kemi çka i bëjmë”, ka shtuar Pllana për Front Online.
Ndryshe, sot ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është shprehur e bindur se kompensimi i orëve të humbura për shkak të grevës së mbajtur nga SBAShK-u do të fillojë nesër.
E para e Arsimit, thirrjet për mos mbajtje të orëve i quajti vepër penale, teksa e kundërshtoi ashpër propozimin e Komunave për shtim të një ore në fund të ditës.
Sipas saj, mësimdhënësit të cilët nuk do ta respektojnë këtë vendin, nuk do të kompensohen.
Ajo këtë e quajti obligim për të respektuar ligjin e assesi ndëshkim.