A do t’i lejojë Gjermania kosovarët me pasaporta të skaduara- çka ndodhi me kërkesën e Sveçlës

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Pritjet për pajisje me pasaporta po vazhdojnë ende. Kontrata për furnizim me dokumente personale është nënshkruar në fund të muajit dhjetor, por pajisja e qytetarëve me to s’ka filluar ende. Në mungesë të këtyre dokumenteve, Ministri Xhelal Sveçla i ka kërkuar Gjermanisë që ta lejojë qarkullimin e shtetasve kosovarëve me pasaporta të skaduara. Por, a do ta lejojnë autoritetet gjermane një gjë të tillë? MPB s’ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse është Sveçla ka marrë përgjigje për këtë kërkesë.

Problemit që filloi në muajt e fundit të vitit të kaluar, Ministria e Xhelal Sveçlës s’i ka gjetur zgjidhje ende. Qytetarët po vazhdojnë të përballen me pritje disa javore për të marrë pasaportat.

Si afat për zgjidhjen e këtij problemi ishte dhënë muaji janar, por përveç nënshkrimit të një kontrate në fund të dhjetorit, s’ka diçka konkrete në këtë drejtim.

Se ky problem mund të vazhdojë janë ngritur dyshime nga vetë Sveçla, pas kërkesës që i ka drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë. Ai ka kërkuar që të lejohet qarkullimi i shtetasve kosovarë (që kanë leje qëndrimi) me pasaporta të skaduara.

Gazeta Express ka pyetur MPB’në për këtë kërkesë, saktësisht nëse Sveçlës i është kthyer ndonjë përgjigje, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje. Ministria s’është përgjigjur as për numrin e qytetarëve që janë duke pritur për t’u pajisur me pasaporta.

Lidhur me kërkesën e Sveçlës, para një jave kanë folur nga ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

MPB’ja gjermane ka thënë se Gjermania i njeh pasaportat që kanë vlefshmëri deri në dhjetë vite në linjë me udhëzimet globale të “ICAO-s”. Megjithatë kanë thënë se kërkesa e Kosovës është ende nën shqyrtim.

“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë për Gazetën Express.

Tenderi 4 milionësh për furnizim me dokumente personale

Një kontratë për furnizim me dokumente personale është nënshkruar më 27 dhjetor të vitit 2022.

Kontrata e nënshkruar ka vlerë 4 milionë e 21 mijë e 180 euro dhe i është dhënë kompanisë gjermane “Veridos GmbH”.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është për 12 muaj dhe parasheh furnizimin me dokumente blanko, si pasaporta, letërnjoftime dhe patent shoferë.

Saktësisht, parashihet furnizimi me 290 mijë pasaporta të zakonshme, 270 mijë e 208 letërnjoftime elektronike TIP A, 7 mijë leje qëndrim TIP C, 125 mijë patent shoferë dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.

Sveçla thoshte se problemi zgjidhet në janar

Herën e fundit kur Ministri Sveçla ka folur për këtë problem, është muaji nëntor i vitit 2022, në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Edhe aty ishte deklaruar tek pas interesimit të deputetëve të opozitës.

Sipas asaj që kishte thënë Sveçla, pajisja me pasaporta do të mund të bëhej tek në janarin e vitit 2023.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në pritje për furnizim me dokumente personale, ku fillimisht në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shofer e letërnjoftime dhe pas dy muajve me pasaporta, gjithsej 73 mijë cope”, kishte thënë Sveçla, më 17 nëntor.

Ministri kishte treguar edhe rastet kur dikush mund të pajiset me pasaportë, pa pasur nevojë të presë.

“Çfarë ka bërë Agjencia e Regjistrimit Civil, është që duke pasur parasysh numrin e limituar të dokumenteve që i kemi në dispozicion, kanë prioritizuar lëshimin e dokumenteve për kategori me urgjencë, që do të tjhotë rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimeve familjare, rastet e aktiviteteve sportive, diplomacia e këto kategori kanë prioritet, kurse për qytetarët e tjerë më vjen keq, por duhet t’ju përshtatemi rrethanave në të cilat po jetojmë dhe unë jam duke punuar jashtëzakonisht shumë edhe me kompaninë qe ajo sa më parë të sigurojë, të furnizojë vetveten me landën e parë dhe pastaj me dokumentacionin e nevojshëm për ta sjellë në Kosovë”.

Sveçla kishte thënë se mund ta bëjë publike edhe listën e personave që janë pajisur me pasaporta dhe arsyet.

“Ka një listë të profesioneve dhe arsyeve prioritare për t’u furnizuar me pasaporta dhe është duke e menaxhuar Agjencia për Regjistrimin Civil. Nuk kam kurrfarë telashe me ba publike kushdo që merr pasaportë dhe arsyen pse. Ekziton një numër i limituar që marrin pasaportë për të udhëtuar, këto janë urgjencat , Ekziston kontrata e cila është ende valide dhe me kohë janë bërë porositë”, kishte deklaruar Sveçla.

Të ngjashme