A duhet të ktheheni përsëri në punën e vjetër?

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 23:00 | Nga Ekonomia Online

Arsyet për dorëheqjen nga një punë janë të ndryshme. Mund të keni ndonjë ofertë më të mirë pune, mund ta filloni biznesin tuaj, apo mund t’ju duhet të pauzoni fare, sidoqoftë gjërat mund të mos ecin ashtu siç e keni menduar. Mbase keni kaluar mirë në punën e kaluar dhe e shihni që e njëjta kompani ka hapur konkurs pune, mund ta filloni ta pyesni veten a duhet të aplikoj përsëri për atë pozitë në atë kompani?

Sipas një studimi, 40% e punonjësve do ta merrni parasysh të ktheheshin në  kompaninë ku dikur kanë punuar, megjithatë 80% thanë që ish punëdhënësit nuk e kishin ndonjë strategji në vendin e punës që do t’i nxiste ata të ktheheshin, ndërsa 64% thanë që as në kohën kur lajmëruan që do të jepnin dorëheqje nuk pati ndonjë strategji për t’i mbajtur ende marrëdhëniet.  

A MUNDENI?

Arsyet e dorëheqjes nga puna e kaluar, mund të jenë të gjitha personale, pra ju jeni larguar nga puna në mënyrë profesionale pa i prishur raportet me punëdhënësin. Megjithatë i keni ende dyshimet tuaja. Për ta marrë vendimin e duhur është mira ta krijoni një listë pyetjesh:

  • A ekzistojnë ende ato probleme me personelin?
  • Si është raporti juaj më punëdhënësin?
  • A mendoni që do të mësoni aftësi të reja në atë kompani?

PËRPARA SE TË KTHEHENI

E nëse në të gjitha këto pyetje keni marrë përgjigje pozitive, atëherë është koha t’i merrni edhe disa hapa shtesë përpara se paraqiteni “në vendin e vjetër”.

Përgatituni

Hulumtoni sikur nuk e keni takuar asnjëherë më parë as kompaninë e as punëdhënësin! Sigurisht që gjërat kanë ndryshuar gjatë mungesës tuaj, mund të jetë bërë më keq, por mund të jetë organizuar më mirë, ku i dihet. Pra, përpara se të paraqiteni atje është më mirë t’i njihni të gjitha dimensionet e situatës aktuale.

Analizoni rrjedhën

Do të jeni shumë me fat nëse dikush i asaj kompanie është kthyer dhe një herë në atë kompani. Edhe për ju kjo do të jetë më e lehtë. Bini në kontakt me atë person dhe flisni se si ka qenë përvoja, a ka qenë e vështirë për të, apo e lehtë, por edhe a është penduar më vonë! Edhe më e lehtë është nëse ende keni raporte shumë të mira me ndonjë nga stafi menaxherial i kompanisë. Flisni me ta dhe merrni edhe mendimet e tyre!

Peshoni përparësitë dhe mangësitë

Pro: E dini se çfarë duhet të bëni: Shumë kompani në ditët e sotme duke u shqetësuar për shpenzimet dhe fitimin e shpejtë, duan të marrin dikë i cili është në gjendje ta mësojë procesin e punës më shpejt. E kush mund të kyçet më shpejt në punë, sesa dikush i cili më parë ka punuar aty?

Kundër: Mund të mos i keni përfitimet që i keni pasur: Megjithëse punëdhënësi i dikurshëm mund t’ju “lejojë” të ktheheni, përfitimet që i keni pasur dikur mund të mos i përfshijë më në kontratë. Ky do të ishte vendim i tmerrshëm!

Pro: Mund ta tejkaloni fazën e fillestarit: Në vend që të strukeni, ose të filloni të njiheni që nga fillimi me kolegët, tashmë ju e njihni kulturën e kompanisë, shto këtu që shumë nga kolegët janë të kënaqur që po ju shohin.

Kundër: Jo të gjithë kolegët do të kënaqen: Edhe pse besimi do t’ju vlerësohet, mos harroni që do të ketë edhe kolegë të tjerë të cilët nuk do të ndihen mirë nga ardhja juaj dhe do t’u duhet kohë që ta fitoni besimin e tyre, apo mbase nuk do ta fitoni fare.

Pra, kjo është edhe arsyeja pse nuk duhet të largoheni nga një punë në mënyrë të vrazhdë. Jetës nuk i dihet kurrë.

Të ngjashme