A duhet të votojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës

Prishtinë | 16 Dhj 2023 | 19:32 | Nga Milazim Krasniqi

Pse u harrua reciprociteti?

Ftesat për shqiptarët e Luginës se Preshevës që të dalin në zgjedhjet e 17 dhjetorit po u shkojnë nga të gjitha anët. Nga Albin Kurti, Besnik Bislimi, Bajram Begaj…

Nuk jam kundër atyre ftesave, por e kam një dilemë: çka synojmë ne si shqiptarë në atë rajon? A ka dikush një projekt?

Pjesëmarrja në zgjedhje nënkupton integrim në Serbi, pra, përjashton ndërkombëtarizimin e problemit të tyre. Në rastin konkret, e përjashton edhe reciprocitetin me serbët e veriut të Kosovës, të cilët nga qeveria serbe janë ftuar t’i bojktojnë zgjedhjet e fundit në veri.

Ndërsa Kurti tërë kohën ka pasë folë për reciprocitet, në rastin e serbëve të veriut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

A ka hequr dorë tash nga ai qëndrim a për çka është fjala? E dyta, nëse shqiptarët e Luginës integrohen plotësisht në Serbi, a kanë Kosova e Shqipëria kapacitete t’i mbrojnë si minoritet shqiptar, nga zullumi i programuar i qeverive serbe? Apo nuk kemi kurrfarë projekti për atë rajon dhe kemi vetëm fjalë.

Për më keq, i përdorim si na duhet ne këtu për lojëra të pista, e jo si janë nevojat reale të tyre atje. Bile edhe i përçajmë, që të dalin sa më të dobët e në zgjedhje.

Çfarë politike banale është kjo: heqet dorë nga reciprociteti, ftohen të dalin në zgjedhje pa asnjë kusht, pa asnjë siguri, bile nxitet përçarja e tyre që të dalin sa më dobët në zgjedhje?

Mjerim i politikës! Mjerim i kombëtarizmit! Mjerim i moralit!

Të ngjashme