A e shkel Kushtetutën Projektligji për çmimin tavan në produkte?

Prishtinë | 22 Tet 2022 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë dalë kundër Projektligjit për çmime tavan në produktet themelore. Sipas tyre, një projektligj i tillë i hartuar nga Qeveria shkel Kushtetutën e vendit, pasi siç thonë ata, neni i 10 e përcakton Kosovën si shtet me ekonomi të tregut të lirë. E njohës të kësaj fushe kanë mendime ndryshe.

Ekonomisti Jakup Bellaqa thotë për Teve1.info se ky projektligj është një hap pozitiv nga Qeveria, teksa potencon se nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai thotë se në momentin kur ka abuzim të çmimeve, shteti duhet të marrë masa përmirësuese.

“Sa i përket projektligjit për caktimin e çmimeve maksimale të produkteve bazike, ky është një hap pozitiv nga Qeveria, dhe duhet të vlerësohet pozitivisht dhe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse ne jemi përcaktuar për një ekonomi të tregut të lirë. Konstatimi im është se në momentin kur ka abuzim të çmimeve, shteti duhet të ndërhyjë dhe të marrë masa përmirësuese dhe ta rregulloj tregun. E në këtë rast ky projektligj e rregullon këtë çështje, dhe cakton çmimet tavan apo dysheme dhe pastaj çmimet formohen sipas tregut, ku vepron oferta dhe kërkesa që rrjedhimisht formohen çmimet ekulibruese apo sipas tregut, dhe çmimet fikse”, tha ai për teve1.info

Por, të kundërtën e thotë njohësi tjetër i ekonomisë, Erton Bega. Ai vlerëson se Kushtetuta e definon Kosovën si shtet që bazohet në ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, prandaj ligji i procesuar në Kuvend cenon këtë dispozitë kushtetuese, pasi siç thotë ai, kufizon liritë ekonomike të të bërit biznes.

Në një përgjigje për teve1.info, Bega thotë se nëse shteti do subvenciononte produkte të caktuara, atëherë do të kishte kuptim edhe përcaktimi i marzhës maksimale.

Siç thotë ai, përmes këtij projektligji, Qeveria po synon t’i rris të hyrat e saj e t’i kufizoj të hyrat e të tjerëve dhe sipas tij, kjo nuk është as e drejtë e as e ndershme.

“Kufizimet e të drejtave dhe lirive ekonomike mund të bëhen në funksion të interesit publik, por vetëm atëherë kur edhe shteti bënë sakrificë, pra nëse shteti do të subvenciononte produkte të caktuara, atëherë do të kishte kuptim edhe përcaktimi i marzhës maksimale për periudhën sa do të zgjaste subvencionimi, por përderisa shteti nuk ka ndërruar politikën fiskale nënkupton që Qeveria është pajtuar me rritjen e çmimeve dhe si rezultat i kësaj i ka rritur të hyrat buxhetore”, tha ai.

Ekonomisti Bega thotë se nëse Qeveria ka informata që bizneset janë duke operuar si kartele përmes marrëveshjeve të fshehta tregtare që përcaktojnë çmimet e produkteve bazike, atëherë ajo duhet të angazhojë Inspektoratin edhe Agjensionin e Konkurrencës.

Njëjtë vlerëson edhe ekonomisti Besnik Avdiaj. Sipas tij, çdo veprim që cenon ekonominë e tregut të lirë është në kundërshtim me Kushtetutën.

Avdiaj thotë se caktimi i çmimit maksimal të produkteve nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për situatën e krizës ekonomike.

“Në veçanti kjo masë është e dëmshme për bizneset e vogla që operojnë në tregtinë me pakicë. Për më shumë, përcaktimi i marzhës së fitimit përmes çfarëdo llogaritje, e bllokon zhvillimin e biznesit, e penalizon kapitalizimin e vlerës, nxit rritjen e papunësisë, dhe madje e rrezikon ekzistencën e biznesit”, bëri të ditur ai për teve1.info

Avdiaj potencoi edhe disa nga masat që mund të marr Qeveria, siç është lirimi i bizneseve të vogla nga disa prej obligimeve tatimore dhe mbështetja e kategorive me të ardhura të ulëta.

“Një kombinim i instrumenteve që janë në dorë të institucioneve, pa e cenuar lirinë e tregut. Mbështetja e kategorive me të ardhura të ulëta dhe ndihma sociale përmes subvencionimit të kostove kryesore të jetesës (energjia elektrike, ngrohja, transporti). Lirimi i bizneseve të vogla nga disa prej obligimeve tatimore. Mbështetja e bizneseve të vogla me grante investive, garanci për huamarrje dhe me norma të papërfillshme të interesit kryesisht për investime që ulin kostot operative. Rishikimi urgjent i kontratave të investimeve kapitale dhe implementimi i tyre. Përdorimi i organeve inspektuese për të penalizuar manipuluesit dhe mashtruesit që e keqpërdorin krizën në kurriz të konsumatorit. Këto janë vetëm disa prej tyre. Kreativiteti i institucioneve në gjetjen e zgjidhjeve nuk duhet të kufizohet në ‘një të rënë lapsi’”, tha ai.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se produktet të cilat do kenë çmim tavan janë drithërat, mielli, gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, si dhe lëndët e drurit për djegie.

Versioni i paraqitur i projektligjit nga Qeveria ka qenë i papranueshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

I njëjti projektligj ka dështuar për të dytën herë që të votohet të enjten në Kuvend dhe në mungesë të kuorumit është bartur për seancën e radhës.

Të ngjashme