Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia, dje kishte seancën e radhës gjyqësore.
Pas ballafaqimit të dëshmive që Serbia ka dërguar në gjykatë për atë me çka e akuzon Haradinajn dhe pas mbrojtjes së avokates së Haradinajt, u vendos që më 2 mars të bëhet publike se çka do të ndodh tutje me të parin e AAK-së, a do të ekstradohet në Serbi apo do të lirohet.
E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të shfaqin në mënyra të ndryshme pakënaqësitë ndaj vendimit të gjykatës, shkruan Indeksonline.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se ende nuk kanë marr vendim në parti se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm, por nuk ka përjashtuar as mundësinë e bojkotimit të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.
“Tash për tash nuk mund t’iu them se a do të marrim vendim për bojkot të Kuvendit të Kosovës, por edhe se përjashtojmë. Sigurisht që do të ketë edhe organizime të protestave, debateve, tryeza e organizime që tregojnë të gjitha ato të bëma të Serbisë në Kosovë e kundër Shqiptarëve”, tha Lekaj.
Tutje ai theksoi se të gjitha angazhimet në parti sikur edhe deri tani do të jenë për të sensibilizuar opinionin vendorë e ndërkombëtar për padrejtësitë e njëpasnjëshme që po i bëhen Haradinajt dhe ish luftëtarëve të UÇK-së e më ketë rast Kosovës si tërësi.
“Kjo çka po ndodhë me ish-kryeministrin Haradinaj është pak a shumë si të thuash një tendencë për të linçuar hapur një lider e një parti e cila çdo herë ka qenë në krye të detyrës për të mbrojtur vendin nga armiqtë e përhershëm, siç është Serbia. Por ashtu siç e ka thënë edhe vet Haradinaj, Serbia çdo herë do ta ketë përgjigjen e njëjtë të merituar sikur edhe në të kaluarën”, tha tutje Lekaj.
Sipas tij, shqiptarët e Ramushit janë një e të qëndrueshëm dhe se kështu do të ecin përpara.
Gjykata franceze nuk ka marrë vendim dje për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me arsyetimin se prokurori i ka kërkuar Serbisë të sjellë informacione shtesë. Vendimi pritet të merret më 2 mars të këtij viti, përderisa vetë Haradinaj ka akuzuar shtetin fqinj se po abuzon me ligjin. (Indeksonline)