Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë (DPMS) i AAK-së kërkon nga Qeveria e Kosovës “që të mos i ndërlidhë situatat e dështuara të saj në mes të FAK-ut, Asociacionit dhe Demarkacionit, si gjoja kusht që të këto tri çështje të ndërlidhen mese veti”.
Sipas AAK-së, Qeveria nuk duhet të fshehë dështimet e saj, por duhet t’i ndalë mashtrimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Kuvendi duhet menjëherë ta themeloj ushtrinë e Kosovës, para sesionit vjeshtor, e jo të përfillë apetitet dhe kushtëzimet e Listës Serbe për FAK-un.
“FAK-u, Ushtria e Kosovës si çështje obligim kushtetues e politik i kësaj qeverie, e cila është dashtë të bëhet menjëherë pas formimit të panatyrshëm të saj. Pra që në muajin e parë qeverisës dhe jo të krijohet ky vakum kohor dhe politik, duke iu krijuar hapësirë si brenda e po ashtu edhe jashtë ndikimit të Serbisë dhe faktorëve të tjerë destruktivë, në këtë rast edhe të manipulohet opinion publik se gjoja Demarkacioni me Malin e Zi, është kusht për FAK –un. Talljet e tilla nga kryeministri janë të papranueshme dhe jo që nuk ndikojnë në krijimin e FAK-ut, por shpërfaqjet e tilla, janë në dëm të së ardhmes së Ushtrisë së Kosovës”.
“Qeveria dhe Kryeministri, i cili nuk po arrin akoma procedimin në Kuvend të amandamentimit të ligjit për FAK-un, njëherit dëshmoi se nuk arriti të realizojë detyrimin kushtetues për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duhet dhënë llogari për dështimet e njëpasnjëshme në dëm të Kosovës. Ne, si Departament për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK–së kërkojmë me ngulm që FAK-u, përkatësisht Ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik, i ndarë nga çdo përpjekje për ta manipuluar apo kamufluar me situata të tjera dhe si prioritet strategjik nacional për Kosovën, të realizohet përpara çdo lloj nisme në Kuvend dhe menjëherë të veprohet në themelimin e tij”, thuhet në komunikatën e AAK-së.