Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, duhet të japë përgjegjësi pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në territor të Kosovës ditë më parë.
Ai ka kritikuar Veliun për mosshkuarje në Komisionin për Siguri.
“Nuk bën të relativizohet nga askush. Qoftë nga pushteti apo opozita, kushdo qoftë. Incident tjetër në mars ishte mohuar krejtësisht nga një qeveri e shkuar. S’është rezultat i opozitës së sotme, por rezultat i asaj që ne e kemi paraqitur si problem. Kur duan të zgjidhen ministrat, ‘lavër-vllaçë’ bëjnë krejt Kosovën për të marrë detyrën. Kur e marrin detyrën nuk e kryejnë detyrën. A po mundohet me mohu a ta fshehë përgjegjësinë. Në Komisionin për Siguri nuk na vjen ministri i Punëve të Brendshme. As drejtori i policisë s’guxon të vijë. Ky i drejtësisë thotë s’kam kohë. Le të përballen me përgjegjësi këta njerëz, sidomos njerëzit që i kemi zgjedhur në këto detyra”, ka thënë ai në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës.
Hyrjen e xhandarmërisë serbe në territor të Kosovës, Ganimete Musliu e PDK-së e ka quajtur kërcënim direkt për qytetarët, teksa ka thënë se “më shqetësues e sheh faktin që Qeveria e Kosovës dhe institucionet e sigurisë s’e kanë prishur komoditetin dhe e kanë neglizhuar e kaluar pothuajse në heshtje këtë kërcënim të Serbisë”.
Ajo ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për mosthirrje të Këshillit të Sigurisë.