AAK-ja konteston bilancin e punës vjetore të kryetarit Haskuka

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti i Komunës së Prizrenit dhe këshilltarë të caktuar nga opozita kanë nxjerrë bilance diametralisht të kundërta sa i përket punës së ekzekutivit lokal gjatë vitit 2018.

Përderisa drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë vlerësuar se viti 2018 ka qenë vit i sfidave, por edhe i sukseseve, në anën tjetër ka opozitar që thekson se lidershipi komunal nuk ka realizuar asnjë projekt madhor gjatë vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 Komuna ka arritur që të “mënjanojë barriera dhe pengesa të mëdha, si ishte ajo e vendimit gjyqësor që ia bllokonte Komunës dhënien e lejeve ndërtimore”.

“Përveç kësaj, arritëm t’i ndalim projektet tenderistike që e rrezikonin qenien e Qendrës Historike të Prizrenit. Edhe pse të përballuar me sfida, arritëm që ta stabilizojmë gjendjen në Komunë dhe tani jemi të gatshëm që t’i implementojmë projektet zhvillimore me interes për të gjithë qytetarët e Komunës”, ka bërë të ditur Haskuka përmes rrjeteve sociale.

Ai është shprehur mirënjohës për pjesëmarrjen qytetare gjatë vitit të shkuar dhe ka shprehur qëndrimin se bashkë do të ketë angazhime për përmirësimin e kushteve të jetesës, cilësisë në arsim dhe shëndetësi, mbrojtje të mjedisit dhe shtimin e gjelbërimit.

Por këshilltari i AAK-së opozitare, Ilir Baldedaj, ka theksuar se qeverisë Haskuka mjetet e grantit qeveritar po i shkojnë në suficit për shkak se nuk është realizuar asnjë projekt madhor.

Këshilltari opozitar ka pohuar se Haskuka që në fillim të mandatit është treguar armiqësor me projektet e qeverisjes së kaluar, “edhe kur ato ishin projekte kapitale për qytetin e Prizrenit”. Ai ka kritikuar ekzekutivin edhe për politizim të arsimit, si dhe për nepotizëm në punësimet në shërbimin civil. Ndërkohë ka shtuar se nuk ka pasur angazhime as për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme