Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka folur për koalicionin qeverisës dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vend, në një paraqitje televizive sot.
Nitaj, njëherësh zëdhënës i partisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë acaruar.
Nitaj në RTV 21 ka përmendur disa zhvillime, ku në bazë të tyre ai tha se ka acarime mes PDK-LDK, dhe shtoi se këto parti do ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe jo opozita.
Nitaj ka thënë se veç ka filluar fushata zgjedhore, duke përmendur kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, i cili, sipas tij, është duke bërë një fushatë të kushtueshme, pastaj aktivitetet e shtuara të Isa Mustafës në sensin elektoral dhe sondazhin e Vetëvendosjes, duke thënë se të gjitha këto operacione po çojnë në krijimin e klimës për zgjedhje të parakohshme.