Abazoviq për sulmin në Shtërpcë: Dënoj fuqishëm plagosjen e të rinjve të pafajshëm

Prishtinë | 08 Jan 2023 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka dënuar plagosjen e të rinjve serbë në Shtërpcë.

Abazoviq u ka bërë thirrje palëve që të punojnë në promovimin e paqes, derisa tha se zgjidhja e problemit qëndron në dialog dhe marrëveshje.

“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi dhe emrit tim, dënoj fuqishëm plagosjen e djemve dhe të rinjve të pafajshëm në Kosovë. U bëj thirrje të gjithë fqinjëve tanë që të përmbahen nga çdo dhunë. Zgjidhja e çdo problemi qëndron në dialog dhe marrëveshje”, ka thënë ai, raporton RTCG, media në Malin e Zi.

Ndërkohë, mijëra njerëz u mblodhën sot në Shtërpcë për të shprehur protestën e tyre ndaj plagosjes së Stefanit 11 vjeçar dhe Milloshit 21 vjeçar nga një ushtar i FSK-së në rrethana ende të pasqaruara.

Qytetarët e mbledhur mbanin pankarta me mbishkrimet “Kurti, fëmijët nuk jua falim!”, “Stefan, zemra e Serbisë – Hero”, “Gjuajtja ndaj Stefanit e Milloshit është plumb në zemër të Serbisë!”, “Evropë, çfarë faji të kanë fëmijët tanë?!”.

Të ngjashme