Abdixhiku: Bislimi e Gërvalla janë politikanë mediokër, në jetën normale s’do të kishin as karrierë minimale

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 21:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar si politikan mediokër zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, të cilët në jetën normale, sipas deputetit, nuk do të kishin as karrierë minimale të dalluar.

“Me ardhjen e Kurtit është edhe ardhja e individëve mediokër në politik”, ka thënë ai në një intervistë për Televizionin A.

Në aspektin individual Bislimi e Gërvalla, vlerëson Abdixhiku, janë persona konfliktuoz, të cilët nuk janë në gjendje të bëjnë një relacion shoqëror social.

“Kur ke një popullist në krye të shtetit rreth institucioneve vendos njerëz mediokër dhe këta njerëz pastaj bëjnë edhe deklarata të çmendura”, ka pohuar ai.

Duke komentuar deklaratën skandaloze të Bislimit i cili iu drejtuar Bashkimit Evropian duke thënë që të mos e detyrojnë Kosovën “ta eskalojë situatën prapë”, Abdixhiku ka konsideruar se një qasje e tillë “është kërcënuese ndaj BE-së”

“Pra, Bislimi po e pranon që Kosova është faktor destabiliteti”.

Duke përbrendësuar kritikën e Serbisë se Kosova është ajo që e eskalon situatën në komunat veriore dhe në linjë me akuzat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka prodhuar një skandal në intervistën e tij të fundit, duke iu drejtuar Bashkimit Evropian që të mos e detyrojnë Kosovën “ta eskalojë situatën prapë”.

Derisa fliste për dakordimin me Bashkimin Evropian për hapat de-eskalues që duhet t’i ndërmerr Kosova për ta shtensionuar situatën në Veri dhe rrjedhimisht t’i hiqen masat, Bislimi në emisionin Konfront në KTV, tha se “ne” i kemi thënë BE-së që të mos i detyrojë ta eskalojnë situatën prapë.

“Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni me eskalu situatën për m’iu tregu që e de-eskalojmë prapë”, deklaroi njeriu i dytë i Qeverisë së Kosovës.

Duke vazhduar deklarimin e tij në raport me BE-në se “situata në Veri ka de-esklauar, tregoni që masat që janë vendosur për këtë nuk e kanë më bazën e tyre, rrjedhimisht është e palogjikshme të futen”.

Të ngjashme