Abdixhiku në Gjakovë: Këto zgjedhje nuk përcaktojnë vetëm një kryeministër, por vetë fatin e Kosovës

Gjakovë | 11 Dhj 2024 | 19:39 | Nga Hasan Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur në Gjakovë “Turneun e ndryshimit”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit nuk përcaktojnë vetëm një Kryeministër, por edhe fatin e Kosovës, teksa ka premtuar zhvillim ekonomik e anëtarësim të Kosovës në institucione euroatlantike.

“Ky rrugëtim i ri historik po formësohet dhe në Gjakovën tuaj, në Gjakovën time, në Gjakovën që së shpejti, do të rikthehet si Gjakova e Lidhjes Demokratike. Kjo Gjakovë, djep i së djathtës, shtëpi e intelektualizmit e përparimit, kjo Gjakovë, burim i sakrificës, burim i dëshmorëve e patriotëve, simbol i dhimbjes, qëndresës e vet rezistencës, Gjakova e Fehmi Aganit, Zekeria Canës, Bardhyl Qaushit, Mark Malotës, Gjergj Sokolit e veprimtarëve që bënë vet historinë, po na jep dhe vullnetin për rrugëtimin përpara. Sepse ëndrra e djeshme e bijave e bijve tuaj, për të ruajtur, mbrojtur e lartnuar shtetin që kemi, na qëndron sot jo vetëm si rikujtim për sakrificë, por na qëndron sot si kushtrim për përbashkim e për shpëtim”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur e sovran.

“E ardhmja jonë është e padefinuar. Ajo pret veprimet tona. Pret sjelljen tonë! Dhe sot, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, dalim para jush për të përqafuar  këtë të ardhme që e ëndërrojmë. Kosova, Republika jonë, qëndron në udhëkryqin më të madh politik e ekzistencial që nga themelimi i saj si shtet i pavarur e sovran. Dhe në këtë udhëkryq, në këtë definimin të së ardhmes sonë, qytetarët e Kosovës, ju të dashur qytetarë të Gjakovës, duhet të kuptoni peshën e zgjedhjeve tuaja. Sepse këto zgjedhje, nuk bëhen vetëm për të përcaktuar një Kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ato, para së gjithash, bëhen për të përcaktuar vet fatin e Kosovës. Si një shtet në zhvillim, me njerëz që bëjnë jetën këtu, si një shtet të hapur në lumin e madh të rrjedhave botërore, apo si një vend i zymtë, i propagandës, i përçarjes, i mbylljes e i sanksioneve, si një vend i zbrasjes së dhimbshme – i thyerjes së madhe përtej së cilës mbesim edhe pak, edhe vet, edhe keq. Këtë zgjedhje unë e kam të qartë! Ketë zgjedhje ju duhet ta keni të qartë. Më 9 shkurt është koha të zgjedhni ju”, u shpreh Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka pasur edhe një mesazh për partinë pushtet, të cilët i ka quajtur keqpërdorues.

“Për keqpërdoruesit e pushtetit kam vetëm një mesazh! Ndryshimi po vjen! Do t’i ktheni paratë cent më cent! Do të ndiqeni penalisht për secilin veprim korruptiv; nga buka e bujqve tek mafia energjetike, nga rezervat shtetërore tek kontratat njëburimore! Ndryshimi po vjen! Për ata që mashtrojnë e keqpërdorojnë nuk ka shpëtim. Është koha të zgjidhni për të gjithë punëtorët e Kosovës, që në kushtet më të rënda të punës, në pagat më të ulëta të mundshme, rrezikojnë jetë. Dhe prapë janë në punë, më punëtorë, më të zellshëm, më këmbëngulës, se secili punëtor në Evropë. Është koha të zgjedhni për mësuesit, mjekët, punëtorët e shërbyesin që marrin lëmoshë dhe s’ka kush t’i dëgjojë. Është koha të zgjedhni për veten. Sepse njerëzit e Kosovës, janë lodhur duke i pritur mundësitë e premtimet që nuk ju vijnë, janë shterur nga shpresa e udhëheqësve që propagandojnë por s’japin asnjë rezultat. Njerëzit e Kosovës janë lodhur nga ndenja e braktisjes”, ka deklaruar Abdixhiku, teksa ka folur edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se në vend të masave, do të ketë integrim në NATO e Bashkim Evropian.

“Aty ku na kanë dhënë masa, sanksione e izolim, ne kemi rrugën për integrim. Republika e Kosovës, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian – me miqësi të përhershme me SHBA-të dhe secilën administratë! Asnjë pikë e presje më shumë, asnjë pikë e presje më pak. Për t’i bërë gjithë këto, kemi nevojë për ju. Kemi nevojë për përbashkimin tonë të brendshëm kombëtar, si domosdoshmëri e një shpërthimi të madh nacional. Dhe ky shpërthim i madh nacional nis mu këtu, mes jush, mu në zemrën e intelektualëve, mu në Gjakovë. Nisë në qytetin e punës, në qytetin e patriotizmit, në qytetin e njerëzve të mirë, familjeve punëtore, në qytetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh ai.

Kryetari i LDK-së ka thënë se nga java e parë do ta rrisë pagat në sektorin publik, ku vlerën e koeficientit do ta bëjë 150 euro.

“Aty ku ata kanë vështruar rritjen e çmimeve e sfidën e përballueshmërisë, ne kemi ofruar paga të larta e të ardhura me dinjitet. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë. Një javë, 150. Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet”, ka thënë ai, teksa premtime dha edhe për investime kapitale. Abdixhiku deklaroi se në programin e tij, janë 150 projekte dhe 5 miliardë euro investime.

“Magjistralet e Autostradat e nisura në dekada, duhet të përfundojnë për tri vjet – asnjë ditë më shumë. Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë! Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5 për qind rritje ekonomike”, u shpreh Abdixhiku.

Në fund, u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë nga Komuna e Gjakovës.

Të ngjashme