Abdixhiku: LDK e heq pezullimin e bisedimeve me Vetëvendosjen, por ende s’ka marrëveshje

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 23:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK do t’i rikthehet diskutimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, pasi Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë rikonfirmoi udhëheqjen e tij, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për media pas përfundimit të kuvendit, Abdixhiku tha se deri më tani është zhvilluar vetëm një takim me përfaqësuesit e LVV-së dhe mohoi se në atë takim janë diskutuar ndarjet e posteve qeveritare.

“Ende s’kemi mbërritur atje. Ju, siç e dini, ne kemi pasur vetëm një takim. Dhe në atë takim s’janë folur as pozitat, as ndarjet pozicionale. Lajmet e bëra publike janë të pavërteta. Ato që u shfaqën, se kush do t’i ketë ministritë, nuk janë diskutuar në tavolinën diskutuese. Mund të jetë një testim mediatik, mund të jetë pjesë e betejës publike ku një palë e teston një ide. Po nëse kanë dashur me testuar, është një ide e dështuar”, deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK nuk do të pranojë një marrëveshje që do t’i jepte një partie kontrollin mbi të gjitha institucionet kryesore të shtetit.

“Jo, s’mund të ketë disbalancë përfaqësuese në institucionet e Kosovës. Populli i Kosovës duhet të jetë i sigurt me LDK-në, se LDK-ja s’mund të pranojë asnjë marrëveshje me të cilën ne nuk sigurojmë demokraci funksionale në Republikën e Kosovës, ku pozitat kryesore shtetërore nuk i takojnë një partie të vetme”, u shpreh ai.

Abdixhiku bëri të ditur se, pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, LDK do të rifillojë zyrtarisht bisedimet për formimin e institucioneve.

“Për çështje të tjera ende nuk kemi folur. Më lejoni që tani, prej sonte e tutje, fillimisht ta kalojmë këtë periudhë të organizimit që ka qenë e lodhshme për LDK-në. Nga nesër e tutje të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Prej këtij momenti unë e heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë tutje për institucionet”, tha ai.

Kreu i LDK-së shtoi se bisedimet nuk janë përqendruar te emrat apo ndarja e posteve, por te parimet mbi të cilat mund të ndërtohet një marrëveshje.

“Nuk kemi mbërritur në asnjë pozitë individuale. Ju lutem, keni mirëkuptim me kohë, kur të mbërrijmë do t’ju njoftojmë për të gjitha. Por ju kam thënë prej fillimit se kjo çështje s’është individuale, s’është me emra të përveçëm, është me çështje parimore. Fillimisht parimet i definojmë. Edhe parimi kryesor është: a duhet një parti t’i ketë të gjitha apo jo? Për LDK-në bindjet janë të qarta, një parti s’mund t’i ketë të gjitha”, shtoi Abdixhiku.

Të ngjashme