Abdixhiku në Ferizaj: Kosova do të triumfojë mbi populizmin dhe propagandën

Ferizaj | 23 Nën 2024 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në kuadër të “Turneut të Ndryshimit’’ nëpër qytete të Kosovës, sonte ka mbajtur tubim në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.

Në fillim të fjalës së tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se edhe në Ferizaj po konfirmohet fryma për ndryshim. “LDK është ngritur tashmë në këmbë edhe në Ferizaj, është kthyer në rrënjë”, tha kreu i LDK-së.

Abdixhiku theksoi se këto zgjedhje nuk bëhen për të përcaktuar vetëm një kryeministër, por për ta përcaktuar të ardhmen e Kosovës.

“Këto zgjedhje bëhen për ta përcaktuar Kosovën si një shtet me zhvillim, me njerëz që e bëjnë jetën këtu në Kosovë, si një vend i hapur në rrjedhat botërore apo si një vend i zymtë, i propagandës, përçarjes e sanksioneve”.

Sipas tij, për 4 vjet, qytetarët kanë parë si premtimet e mëdha të Qeverisë Kurti kanë mbetur vetëm fjalë të thata dhe propagandë.

“Humbje të shpresës për ëndrrat, për vendet e punës, pagat e larta, shkollat e denja, spitalet e mira, drejtësinë e bardhë, për vetë jetën në Kosovë”, ka thënë ai.

Por më 9 shkurt 2025, sipas tij, ky pushtet do të shohë sesi duket “lufta hibride” e popullit të Kosovës.

“Kosova do të triumfojë edhe mbi populizmin dhe propagandën”.

Ai ka ftuar qytetarët që të bëhen ndryshimi. “Nga zhgënjimi te shpresa: Bëhuni Ndryshimi për një Kosovë të bashkuar dhe krenare!”

Ndërsa ka kujtuar fjalët e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Abdixhiku ka premtuar përmbushjen e ëndrrës kombëtare për integrim në NATO, BE dhe miqësi të përhershme me SHBA!

“LDK-ja është e përkushtuar ta vazhdojë misionin e saj historik, të nisur 35 vjet më parë me fjalët e shqiptarit më të të madh, themeltarit të shtetit të Kosovës, doktor Ibrahim Rugova”.

Për bujqit, ai ka premtuar përkrahje ndërsa nuk la pa përmendur dhe rastet e fundit të ndarjes së granteve bujqësore për vëllezër e dajë.

“Paret do t’i kheni cent më cent në buxhetin e Kosovës”.

Mes tjerash, Abdixhiku ka paralajmëruar se në qeverinë e tij do të ketë dhe Ministri të Familjes.

E për pushtetin aktual ka kërkuar që t’i ndalë eksperimentet sikur që ishin doracakët e edukimit seksualë. “Mbani duart e juaja larg familjes, mbani duart lerg fëmijëve”.

“LDK zotohet për mirëqenie, zhvillim dhe shtet familjar!”

Për të gjithë shërbyesit civilë, Abdixhiku u zotua se do të rrisin koeficientin e pagave në 150 euro qysh në javën e parë të qeverisjes.

Për ferizajasit, Abdixhiku ka premtuar një central me gaz i cili do të ndërtohet këtu në Ferizaj

“LDK planifikon 500 milionë euro investime për energji të pastër!”, ka thënë kreu i LDK-së.

“Për Ferizajin, kemi lajmin e mirë. Në Qeverinë tonë, kemi plan për central të pastër me Gaz, dhe ky central do të ndërtohet këtu në Ferizaj. 500 milion euro investime për stabilitet energjetik për 50 vitet e ardhshme, këtu, në qytetin tuaj, në Ferizajn tonë’’, deklaroi Abdixhiku.

Në programin “Rruga e Re”, sipas kryetarit rë LDK-së, janë 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet dhe 5% rritje ekonomike.

Në fund të tubimit që është mbajtur në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘’Faik Konica” u prezantuan dhe kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga kjo komunë.

Të ngjashme