Në tubimin në Gjakovë për zgjedhjet e 12 tetorit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prezantoi kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Shefqet Shehun.
Abdixhiku e vlerësoi Gjakovën si simbol të qytetarisë shqiptare dhe theksoi se qyteti ka nevojë për zhvillim dhe investime, raporton Ekonomia Online.
“Gjakova nuk është një qytet i zakonshëm, është simbol i qytetarisë shqiptare. Është qyteti i arsimit, i dijes, i intelektualëve. Është qyteti i rezistencës dhe i sakrificës. Është qyteti i mikpritjes dhe i dinjitetit. Është qyteti që gjithmonë ka ditur të japë shembull për Kosovën, që gjithmonë ka ditur të udhëheqë me krenari, që gjithmonë ka ditur të qëndrojë i fortë edhe në ditët më të vështira. Sonte, Gjakova është përsëri në qendër të betejës. Jo vetëm për të zgjedhur kryetarin e saj, por për të dhënë mesazhin e madh për gjithë Kosovën. Sepse kur flet Gjakova, e gjithë Kosova e dëgjon. Sepse kur ngrihet Gjakova, e gjithë Kosova merr shpresë. Sepse kur fiton Gjakova, fiton Republika.
Dhe në këtë betejë, ne kemi një emër që na bën krenarë. Një emër që mishëron ndershmërinë, përkushtimin dhe vizionin. Një emër që është rritur në këtë qytet, që i njeh hallet dhe nevojat e tij, që është pranë jush në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo rrugë. Ky është kandidati ynë, ky është lideri juaj, ky është Shefqet Shehu.
Shefqet Shehu nuk është njeri i premtimeve të thata. Nuk është njeri i propagandës. Nuk është njeri i fjalëve të mëdha pa mbështetje. Ai është njeri i punës, i përgjegjësisë, i ndershmërisë. Ai është njeriu që e sheh politikën si shërbim, jo si privilegj”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se Shehu mishëron ndershmërinë dhe përgjegjësinë, duke premtuar një qeverisje që i jep përparësi qytetarëve dhe projekteve konkrete.
“Shefqet Shehu është njeriu që nuk flet për pushtetin, por për qytetin. Ai është njeriu që nuk mendon për privilegje, por për përgjegjësi. Dhe kjo është ajo që i duhet sot Gjakovës.
Sepse këto katër vite, qyteti juaj ka parë shumë premtime, por pak vepra. Ka parë shumë slogane, por pak rezultate. Ka parë shumë propagandë, por pak projekte. Ka parë një pushtet lokal që nuk e ka ngritur qytetin aty ku e meriton. Dhe më e rëndësishmja: ka parë një qeveri qendrore që e ka harruar Gjakovën. Një qeveri që nuk i ka sjellë zhvillimin, që nuk i ka sjellë investimet, që nuk e ka respektuar këtë qytet. Në Gjakovë, familjet të janë lënë pas dore. Tregtarët e bizneset nuk kanë marrë mbështetje. Të rinjtë janë lënë pa shanse, pa mundësi, pa perspektivë. Shumë familje kanë parë fëmijët e tyre të largohen nga vendi, sepse nuk gjejnë shpresë këtu. Dhe kjo gjendje nuk mbanë për faj qytetarët. Kjo gjendje është pasojë e rahatisë dhe keqqeverisjes. Është pasojë e paaftësisë. Është pasojë e pushtetit që nuk mendon për njerëzit, por vetëm për vetveten.
Por kjo kohë po mbaron. Sepse sot, Lidhja Demokratike e Kosovës është këtu. Sepse sot, Shefqet Shehu është këtu. Sepse sot, ju keni mundësinë ta ktheni Gjakovën në rrugën e zhvillimit, në rrugën e dinjitetit, në rrugën e së ardhmes. LDK nuk është parti e fjalëve boshe. LDK nuk është parti e propagandës. LDK është parti e punës. Është parti e institucioneve. Është parti e shtetformimit. Është parti e përgjegjësisë. Është parti që gjithmonë ka qenë pranë qytetarëve, që gjithmonë ka qenë në ballë të zhvillimit, që gjithmonë ka qenë garanci e shtetit. Me Shefqet Shehun në krye, Gjakova do të ketë kryetarin që e meriton. Një kryetar që del mes qytetarëve, që i dëgjon ata, që punon për ta, që i bën ata pjesë të vendimmarrjes. Një kryetar që nuk ikën nga përgjegjësia, por e merr mbi vete. Një kryetar që nuk harron qytetin, por e ngre atë”, tha kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

