Abdixhiku: Në mendësinë Rugoviane nuk shpifet

Prishtinë | 30 Kor 2026 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Kuvendin e kësaj partie ka folur ndaj kritikave dhe përplasjeve të brendshme në parti, duke kritikuar gjuhën e urrejtjes, shpifjet dhe sulmet publike, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka vlerësuar se përgjegjësia duhet t’u njihet atyre që kanë punuar për partinë gjatë proceseve zgjedhore dhe jo atyre që, sipas tij, synojnë përfitime personale.

“Nuk mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e vetë partisë, që refuzon betejën më të rëndësishmë që mund ta kemi, zgjedhjet nacionale, teksa fërkon duart për një rezultat të keq për të nisur sërish edhe një herë, për të satën herë, refrenin e njëjtë. Përgjegjësi i jap vetëm atij aktivisti, atij veprimtari, atij delegati që ishte në terren secilën ditë. Atij që trokiti në dyer, bindi qytetarët, mbrojti LDK-në në çdo debat e në çdo studio, mbajti barrën e fushatës mbi supe dhe nuk u dorëzua kurrë edhe atëherë kur rezultati i rrënoi gjithë mundin përnjëherë”, tha ai.

Kreu i LDK-së ka thënë se partia u ka borxh aktivistëve dhe delegatëve që kanë punuar për të, ndërsa ka kritikuar, siç i quajti ai, “lakmitarët e karrigeve dhe pozitave”.

“Atyre, dhe vetëm atyre, ua kemi borxh LDK-në. Lakmitarëve të karrigeve e pozitave vetëm përballjen vlerore deri në fund. Po ashtu, duhet të them se jam thellësisht i zhgënjyer dhe njëkohësisht i shqetësuar me gjuhën publike të zhvilluar nga disa gjatë javëve të fundit. Edhe beteja demokratike ka një standard, një bazë e një vlerë. I thonë kulturë institucionale, diçka me të cilën jemi mburrur gjithnjë”, u shpreh Abdixhiku.

Ai ka theksuar se sulmet publike dhe akuzat pa dëshmi nuk janë pjesë e mënyrës së funksionimit të LDK-së.

“Gjuha e urrejtjes, nxitja e shpifja publike kundër partisë sonë, kundër njerëzve tanë nga vetë njerëzit e LDK-së, as nuk ka qenë kulturë e jona politike e as shkollë e mendësisë rugoviane. Në mendësinë rugoviane nuk shpifet. Në mendësinë rugoviane nuk akuzohet pa asnjë provë të vetme se kryetari i partisë po ndan pozita ministrore për 355 delegatët e Kuvendit të tij. Pyetëm sinqerisht se sa i thellë duhet të jetë mllefi individual për të shpërdoruar dhe në këtë masë një raport njerëzor me dikë me të cilin ke ndarë vite, beteja e sfida? Sa larg duhet të ketë shkuar hidhërimi e sa i madh duhet të jetë dëshpërimi që për një qëllim krejtësisht personal të jesh i gatshëm të shpifësh pa asnjë kufi, pa asnjë fakt e asnjë ndjenjë përgjegjësie?Dhe meqenëse jemi këtu, siç dhe më njohni, më lejoni të betohem në Zot, në atdhe, në familje, tri gjëra që i konsideroj më të shenjta, se asnjë nga këto fantazi nuk kanë pasur vend në shtëpinë tonë politike”, theksoi ai.

Të ngjashme