Abdixhiku: Ngjarja tragjike e vdekjes së nënës dhe fëmijës së saj është humbje e madhe për të gjithë ne

Prishtinë | 25 Qer 2023 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas humbjes të jetës së nënës dhe fëmijës së saj 5 vjeçar si pasojë e reshjeve të shiut në komunën e Pejës.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pas vërshimeve të shiut të cilat shkaktuan humbje jetësh e dëme të mëdha në disa lagje të Pejës”, është shprehur kryetari i LDK-së.

“Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri së bashku me organet tjera lokale, janë duke i ndërrmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të ndihmuar familjet e prekura në këtë kohë të vështirë. Solidariteti dhe  bashkëpunimi janë thelbësore në momente të tilla për të ndihmuar bashkëqytetarët të ngrihen përsëri pas një fatkeqësie tragjike.

Si kryetar i LDK-së, falënderoj të gjitha organet lokale, njësitë e kërkim-shpëtimit të FSK-së si dhe të gjithë qyetarët  për angazhimin e tyre për të tejkaluar këtë situatë. Po ashtu lus të gjithë të tregojnë kujdes të shtuar deri në menaxhimin e plotë të situatës.

U bëj thirrje institucioneve qendrore të mobilizojnë të gjithë mekanizmat shtetëror të iu dalin në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të prekur nga vërshimet. Institucionet tona duhet të koordinohen me të gjitha organet lokale për t’iu përgjigjur nevojave të familjeve tona në përballje me këtë situatë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Të ngjashme