Lumir Abdixhiku pritet të bëjë reforma të dukshme brenda LDK-së. Pasi u zgjodh kryetar i partisë, Abdixhiku paralajmëroi ndryshime të brendshme dhe Kryesi të re, pjesë e së cilës me shumë mundësi s’do të jenë disa zyrtarë të “gardës së vjetër”.
Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do t’i përfshijë në Kryesinë e re tre kundërkandidatët e tij që të dielën garuan për ta marrë drejtimin e partisë. Siç tha pas fitores në zgjedhjet e brendshme, ai synon ta ndërtojë një ekip me figura të reja brendapartiake. Jashtë këtij ekipi pritet të mbeten zyrtarët e “gardës së vjetër” të partisë, përfshirë ish-kryetarin Isa Mustafa, i cili me propozim të Abdixhikut u shpall kryetar nderi. Në ekipin e kryetarit të ri të LDK-së nuk pritet të jenë as veprimtari i vjetër i LDK-së, Agim Veliu, e as kryetari i Istogut, Haki Rugova, i cili ka qenë nënkryetar i LDK-së.
Abdixhiku i quajti kundërkandidatët e tij figura të respektuara, ndërsa tha se “Do të shihni një Kryesi të re të LDK-së”, në deklaratën e tij të parë për media pasi mori drejtimin e partisë, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentari mori rezultatin më të dobët në historinë e saj.
Anëtari i Kryesisë aktuale të LDK-së, Haki Rugova, tha për Express se nuk ka informacion nëse do të jetë pjesë e Kryesisë së re të partisë. Ai tha se se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së pritet ta zgjedh Kryesinë, ndërsa pret që kjo të bëhet shumë shpejt.
“Tashmë Këshilli i Përgjithshëm është konstituuar atë ditë në Kuvend. Tash mbetet që kryetari Abdixhiku ta thërrasë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Këshilli pastaj vendos Kryesinë. Unë vetëm mund të them që Këshilli e vendos, s’mund të flas për asnjë çështje tjetër. Unë informatë nuk kam [nëse do të jem anëtar i Kryesisë], ftesë nuk kam. Mbledhja do të mbahet shpejt, Kryesia do të formohet shpejt dhe unë kurrfarë problemi nuk kam”, tha Rugova.
Se a do të jetë anëtar edhe i Kryesisë së re të LDK-së, nuk e di as Muharrem Sfarqa. Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj tha për Express se propozimet e kryetarit të ri të partisë do të vlerësohen nga Këshilli i Përgjitshëm.
“Nuk kam asnjë informacion. Është çështje ekskluzive e propozimeve që i bën kryetari i Lidhjes Demokratike, Z. Lumir Abdixhiku dhe është çështje e Këshillit të Përgjithshëm nëse i miraton propozimet”, tha Sfarqa.
Ai shtoi se për këtë çështje nuk ka biseduar me kryetarin e ri të partisë.
“Unë as s’kam bisedu, as nuk e kam në plan të bisedoj dhe nuk merrem me çështje të cilat janë në kompetencën e kryetarit dhe s’jam marrë asnjëherë në jetën time. Është çësthje ekskluzive e vlerësimit të tij”, tha Sfarqa.
Gjatë të martës, Gazeta Express ka provuar që për Kryesinë e re të LDK-së të kontaktojë edhe me kryetarin e degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, por ai nuk ka pasur qasje.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, veçse ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga angazhimi në parti. Ai ka thënë se do t’i kthehet punës shkencore.
Të dielën, Lumir Abdixhiku, përveç që tha se Kryesia e re e LDK-së do të duket ndryshe, paralajmëroi edhe prurje të reja në parti.
“Do të ndërtoj një ekip të ri me figura të reja brendapartiake, por gjithashtu do të kërkojë edhe hapjen e dyerve për individë që kanë bindje të njëjta ideologjike me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Do të shihni një Kryesi të re të LDK-së”, tha ai.
Abdixhiku po ashtu tregoi se LDK-ja do të ndryshojë edhe në rrafshe të tjera. Ai tha se do të ketë hapësirë për zëra kritikë brenda, dhe se do të diskutohet e do të dëgjohet edhe aktivisti i LDK-së, por edhe qytetari.
“Do të shihni një organizim të ri politik të LDK-së. Do të shihni një shtrirje territoriale të përgjithshme të lidhjes tonë dhe do të shihni një politikë që është e përgjegjshmë, që dëgjon zërin qytetar dhe që mbi të gjitha e promovon idenë tradicionale të LDK-së që është e mbështetur në shtyllën e respektimit të shtetit të Kosovës, në bashkëpunimin ndërinstitucional, në mbështetjen e të gjitha proceseve integruese ku ka nevojë dhe një LDK që ka zë kritik brenda, ka mendim kritik, ka mendje, ka diskutim dhe ecën përpara duke dëgjuar edhe aktivistin e vet, edhe qytetarin”, tha Abdixhiku.
37-vjeçari është kryetari i katërt i LDK-së. Në garën për të parin e partisë, ai e la pas Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën, që synonin të njëjtën pozitë.
Para se Kuvendi Zgjedhor i LDK-së t’i niste punimet, Anton Quni u tërhoq nga kandidatura e tij për kryetar të partisë. Pas zgjedhjeve të brendshme, Quni tha se këtë vendim e mori për t’i hapur rrugë frymës së re brenda subjektit politik.