Abdixhiku propozon Vjosa Osmanin bartëse të listës së LDK-së dhe kandidate për presidente

Prishtinë | 09 Maj 2026 | 12:31 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka propozuar që Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës zgjedhore të LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa ai të garojë për kryeministër, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se ka propozuar një listë bashkuese, që sipas tij synon rikthimin e ekuilibrit politik dhe institucional në vend.

“Propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ndërtohet mbi rehatinë politike, por mbi përgjegjësinë shtetërore. Një listë që nuk synon vetëm rezultat zgjedhor, por kthim tek ekuilibrit politik dhe institucional në Republikën e Kosovës. Në këtë propozim timin kam propozuar garën të përbashkët për President të Republikës dhe për Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që Lidhja Demokratike e Kosovës të garojë me Presidenten Vjosa Osmani si kandidate për Presidente të Republikës… edhe njëkohësisht bartëse të listës sonë zgjedhore, dhe me mua kryetarin e LDK-së si kandidat i LDK-së për Kryeministër të Republikës”, tha ai.

Abdixhiku tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ushtrimi i funksioneve me mandat të përkohshëm janë normalizuar në skenën politike të vendit.

“Pra jemi në fazën ku të shkosh në zgjedhjet jashtëzakonshme është krejt e zakonshme. Ku të qenurit në pozitë atë ushtruesit të detyrës nuk shihet më si problem substancial demokratik në Kosovë, por si pjesë normale e jetës kusinore institucionale. Siç thotë edhe vetë kundërshtari im politik, në një normalizim që tashmë tingëllon si vetëdije e re politike, unë mbetem si ushtrues detyre ama. Thuajse s’ka asgjë të parregullt me këtë konstatim. Por për Kosovën, gjendja e tanishme nuk ka qenë më rëndë se të ketë ushtrues detyre në çdo pozicion institucional. Ky ushtrues detyre nuk ka rëndësi tashmë është kryeministër, është kryetar kuvendi, a është president apo edhe trishtueshëm të tria të bashkërisht. Siç jemi sot për herë të parë në historinë politike të Republikës së Kosovës. Merreni me mend Kosova sot ka ushtrues detyre të kryetarit të kuvendit që ushtron detyrën e ushtruesit të presidentit të republikës”, tha ai.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku u pyet për mungesën e anëtarëve Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, të cilët kishin kundërshtuar rikthimin e presidentes Vjosa Osmani në parti.

“Ata janë pjesë e listës garuese tonën, do të vazhdojnë angazhimin në procesion. Jo në të gjitha takimet mund të marrin pjesë të gjithë njerëzit e LDK-së, por ata janë pjesë e listës së LDK-së. Po nuk mund të jesh edhe pjesë e listës edhe të jesh kundër. A po më kuptoni? Nuk ka logjikë. Në qoftë se je kundër dikujt, del përballë, jo bashkë. Pra jemi bashkë”, tha ai.

Ai sërish ritheksoi se po punohet për LDK-në dhe se sipas tij, ata që nuk e duan bashkimin nuk e duan as subjektin.

“Besoj që do ta ndjejnë se kur t’je në listë të LDK-së, kur të prijë Vjosa dhe kur e ke Vjosën për kandidate për Presidente dhe e ke kryetarin e partisë tënde për kandidat për Kryeministër, do të angazhohesh me të gjithë për sa më shumë unitet e për bashkim. Ju kisha lutë, ju kisha lutë mos krijoni tema të paqena, se nuk ekzistojnë. Po bëhemi bashkë të gjithë. Po bëhemi bashkë të gjithë, kjo është momentumi, kjo është rëndësia e madhe e LDK-së. Kur jemi bashkë në një listë, punojmë për LDK-në e më pas edhe ndërtojmë të ardhmen të ardhmen të mirë. Ata që nuk e duan bashkimin, për besë, për besë, ata që nuk e duan bashkimin në LDK, nuk e duan as vetë LDK-në. Thjesht kundër bashkimit, vetvetiu je kundër qëllimeve të vetëekzistencës së LDK-së. Fundja, emri ynë është Lidhje Demokratike, dhe si të tillë po bëhemi bashkë”, tha ai.

Të ngjashme